SHKODËR-Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg shoferin Adnan Galica, i cili dyshohet se lëvizte me shpejtësi shumë të lartë me automjetin e tij tip “Benz” nga lagjja “Rus”, duke shkaktuar aksidentin tragjik, ku humbi jetën 62-vjeçari Shkëlqim Krasniqi.
Avokati mbrojtës Arbër Raja kërkoi një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se klienti i tij vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i pajisur me kartelë mjekësore për skizofreni dhe epilepsi. Sipas avokatit, këto kushte kërkojnë trajtim të specializuar dhe monitorim të vazhdueshëm në institucion shëndetësor, jo mbajtje në paraburgim.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 21 maj. Ishte pikërisht një tentativë e gabuar parakalimi ajo që përfundoi në një përplasje fillimisht me automjetin tip “Ford”, ku udhëtonte Fatbardh Lishi me dy fëmijët e tij, dhe më pas goditi 62-vjeçarin Shkëlqim Krasniqi, i cili po lëvizte me biçikletë. Ky i fundit ndërroi jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të marra./ZËRI

