TIRANË- Prokurori i Posaçëm, Dritan Prençi i ka dërguar një fletëthirrje të dytë zëvendëskryeministres Belinda Balluku për t’u paraqitur pasditen e kësaj të premteje, rreth orës 15:30, në SPAK. Ballukut i është kërkuar nga SPAK që të paraqitet në ambientet e Prokurorisë në shoqërinë e një avokati, ndërsa deri tani nuk ka një komunikim zyrtar nga ana e ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, nëse do ti përgjigjet pozitivisht thirrjes.
Kjo është hera e dytë që Balluku therret në SPAK brenda kësaj jave, ndërsa të hënën nuk u paraqit, për shkak se kishte një agjendë të parashikuar jashtë vendit. Vetë Balluku deri tani nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me hetimet ndaj saj, ndërsa kryeministri Edi Rama tha pak ditë më parë se ai nuk do të bënte asnjë koment në lidhje me punën e institucioneve të drejtësisë.
Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë detaj për këtë çështje, por gjatë seancës së të enjtes së kaluar, ku kreu Altin Dumani raportoi në kuvend, pranoi se zëvendës kryeministrja është në hetim. Belinda Balluku dyshohet se është nën hetim për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tenderat publikë”, në lidhje me tunelin e Llogarasë. Më herët në pranga janë vënë disa bashkëpunëtorë të afërt të saj, përfshirë ish kreun e ARRSH-së Ervis Berberi. /ZËRI