TIRANË-Është zbardhur dëshmia e Eugert Sinos, 34-vjeçarit i cili ua arrestua me furgonin e kthyer në arsenal armësh në 'Myslym Shyr'. Para hetuesve Sino, i cili rezulton që të ketë qenë i punësuar më herët në lokalin “Monopol”, në pronësi të Aurel Hoxhës, ka pretenduar se nuk kishte djeni për armët brenda në mjet edhe pse pohon që kishte çelësat.
34-vjeçari ka rrëfyer se furgonin e vendosi në pronësi të tij, pasi ia kishte kërkuar një shok me emrin Bledar, mbiemrin e të cilit ka deklaruar se nuk e di. Ndër të tjera Sino ka theksuar se nuk kishte djeni që në pjesën e pasme të furgonit të kishte armë.
Eugert Sino: Nuk kam lidhje me armët e gjetura në furgon. Kam çelësin e tij, por s’e dija çfarë kishte në pjesën e pasme. Këtë furgon e kam në pronësi unë, sepse ma kërkoi një shok ta vendosja në pronësinë time. Shoku quhet Bledar, shkurt i thërrasim Bledi, mbiemrin nuk ja di si e ka.
Armët u gjetën në një furgon më 29 tetor, që ishte prej muajsh i parkuar në zonën e Myslym Shyrit, dhe kamuflohej me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”. Me këtë furgon trafikantët në kanë shmangur kontrollet në doganë duke deklaruar se janë teknikët e mirëmbajties së rrugëve. Mes armëve të sekuestruara janë: 5 snajper, 1 silenciator, 12 armë zjarri pistoletë, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distance. Policia ka dyshime se Sino ka vepruar pikërisht për llogari të Hoxhës, i cili është shpallur në kërkim me urdhër të SPAK, për disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasje.
Dyshimet janë se armët ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga grupi me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Dy perona të tjerë janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të Sinos, por identiteti i tyre ende nuk bëhet i ditur./ZËRI


