
TIRANË-GJKKO ka vendosur masën e sigurisë 'arrest në shtëpi' për Pandeli Bozhën, babain e Limonera Bozhës, e cila kandidoi në zgjedhjet vendore në Fier nën siglën e Partisë Socialdemokrate. Ai u arrestua për korrupsion aktiv në zgjedhje në Fier.
Bozha dyshohet se ka blerë vota për vajzën e tij Limonera Bozha. Masa e dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar erdhi për shkak të moshës së shtyrë dhe gjendjes së rënduar shëndetësore të Bozhës.
“Drejtësia të bëjë punën e vet, nuk jemi përfshirë kurrë në gjëra të tilla, koha do ta tregojë dhe fakte”, tha për mediat kandidatja e PSD pas vendimit.
SPAK në një reagim zyrtar, njofton se më datë 8 maj, Pandeli Bozha i ka kërkuar një personi mbështetje për vajzën e tij. Ai i ka ofruar një shumë parash dhe një fletë votimi të ngjashme të votimit, ku me ngjyrë portokalli ishte shënuar emri i së bijës. Në gjendje të lirë është proceduar edhe personi me të cilin ka kontaktuar Bozha./ZËRI