
SARANDË-Kandidati për deputet i 'Nismës Shqipëria Bëhet', Ergys Isufi i cili u arrestua një ditë më parë pasi u kap me kokainë, mësohet se është liruar nga Policia. Isufi do të hetohet në gjendje të lirë. Para hetuesve kandidati ka deklaruar se lëndën narkotike e kishte për përdorim personal, pasi nuk është ndjerë mirë në kohë fushate.
Ergys Isufi: E kisha për konsum personal. Do e pija pasi nuk ndihesha mirë këto ditë fushate.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetasit E. I., 36 vjeç, banues në Sarandë, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Lefter Talo”, Sarandë, gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një dozë me lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Kandidati u vendos në pranga pasditen e 7 majit, pasi iu gjet me vete një dozë kokainë. Sipas të dhënave të deritanishme, raportohet se gjatë kontrollit, në momentin që i është zbuluar lënda narkotike, Isufi ka tentuar që të arratiset, por është neutralizuar në kohë nga Policia. Kontrolle u kryen edhe në banesën e tij./ZËRI