TIRANË- Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, brenda Gjykatës së Apelit, ka tronditur opinionin publik, ndërsa sistemit i drejtësisë ka marrë një goditje të fortë e të drejtëpërdrejtë. Teksa lexonte verdiktin në seancën e radhës për një çështje, të cilën po e shqyrtonte prej kohësh, gjyqtari Kalaja u qëllua me 3 plumba nga 30-vjeçari Elvis Shkambi.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjyqtari që në nisje të seancës ishte shprehur me kolegët e tij, se kishte të bënte më një çështje të vështirë. Ndërkohë, një gjyqtar ka rrëfyer për gazetaren Anila Hoxha, edhe bisedën e fundit me Astrit Kalaja, para seancës që do të ishte e fundit për të.
“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”-ishin fjalët e gjyqtarit.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI


