TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka bërë publik vendimin për çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke i dhënë të drejtë kryebashkiakut dhe duke rrëzuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës. Sipas vendimit, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin nr. 539, datë 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të Veliaj, duke e vlerësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Sipas Gjykatës, “nuk mund të ekzistojnë dy lloje të shkarkimit të organit të zgjedhur vendor, ai “ligjor” dhe “kushtetues””.
“Gjykata thekson se është ajo (Kushtetuta) që ka kompetencën për të kontrolluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm prej saj, si autoriteti i cili thotë fjalën e fundit. Për rrjedhojë, parashikimet e bëra në Ligjin për Qeverisjen Vendore nuk mund të interpretohen dhe të zbatohen si mekanizma që lejojnë shmangien ose rrudhjen e mbrojtjes kushtetuese të organit të qeverisjes vendore, pasi ligji nuk mund të ketë epërsi ndaj Kushtetutës.”, thuhet në vendimin e zbardhur.
Më tej, Gjykata thekson se Këshilli i Ministrave, me argumentin e nenit 62 të Ligjit për Qeverisjen Vendore, nuk e ka justifikuar kriterin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës apo ligjeve si edhe nuk ka analizuar shkakun apo rrethanat e mungesës së Veliajt në punë për një periudhë 3 mujore.
Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI