Aktualitet

FATI i Belinda Ballukut, Gjykata Kushtetuese shtyn vendimin: Na duhet më shumë kohë! Nesër mblidhet Këshilli i Mandateve

Gjyqtarët kushtetues pritet që të mbajnë sot një mbledhje maratonë, në fundin e të cilës do të shprehen me votë për pezullimin nga detyra të ministres Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës së Posaçme

E.K
FATI i Belinda Ballukut, Gjykata Kushtetuese shtyn vendimin: Na duhet më
belinda balluku dhe dy prokuroret e spak

TIRANË- Trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese nuk e ka ende një vendim lidhur me ankimimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Mësohet se trupi gjykues ka kërkuar me shumë kohë për të dalë me një vendim, për shkak të kompleksitetit të çështjes.

Ndërkohë që gjatë ditës së nesërme është thirrur mbledhja e Këshillit të Mandateve, lajm i cili u bë i ditur në seancën parlamentare që po zhvillohet në Kuvend, nga deputeti Erald Kapri.

“Keni kërkuar nesër mbledhjen e Këshillit të Mandateve pa bërë asnjëlloj transparence, se çfarë do të bëhet nesër. Sot presim një vendim historik të Gjykatës Kushtetuese, por çështjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Pyetja që kam për ju zoti Kryetar, çfarë parashikoni të bëni nesër, kur keni ndërmend të procedoni me heqjen e imunitetit të zonjës Balluku. Ne kërkojmë që të njihemi me dosjen që ka sjellë prokuroria për zonjën Balluku, jemi të gatshëm që të nënshkruajmë për ruajtjen e sekretit hetimor. Duhet të dimë se për çfarë do të votojmë nesër zoti kryetar”, u shpreh Kapri.

Ndërkohë që kryetari i Kuvendit Niko Peleshi tha se zyra e tij ishte e hapur për çdo kërkesë, dhe pyetja e Kaprit nuk lidhej me procedurën e seancës së sotme, për të cilën deputeti kishte kërkuar fjalën.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pritet me interes të veçantë, jo vetëm për fatin personal dhe politik të Belinda Ballukut, por edhe për precedentin e vendosur, me pezullimin e ministrave me vendim gjykate.

Në seancën e të premtes, 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.

Sipas qeverisë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, si dhe kanë paralizuar vendimmarrjen dhe nxjerrjen e akteve në Ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturë.

Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit. Sipas tyre, rikthimi i Ballukut në detyrë, ka ndikuar në prishjen dhe cënimin e provave.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend. Vetë socialistët, kanë lënë të kuptohet se qëndrimi i tyre për mandatin e Ballukut do të kushtëzohet nga vendimmaarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse SPAK pretendon se ka paraqitur prova shtesë që rëndojnë pozitën e Ballukut në Kuvend. /ZËRI

Poll

MOS HUMB