BELGJIKË-Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë u regjistruar fundjavën që lamë pas në lagjen Anderlecht në Bruksel, ku u gjet i varur me kabllo elektrike trupi i 28-vjeçarit Bekim Halilaj. Media belge RTL info. raporton se Bekim Halilaj, mund të jetë ekzekutuar për humbjen e një dërgese të madhe kokaine.
Sipas gazetave belge Sudinfo dhe Het Nieuwsblad, Bekim Halilaj kishte një histori kriminale të njohur. Në vitin 2017, ai u dënua me shtatë vjet burg në Mbretërinë e Bashkuar për trafik kokaine, si pjesë e një rrjeti kriminal shqiptar që kishte trafikuar drogë me vlerë mbi 4 milionë paund në Southampton, Hampshire. Pas një hetimi nëntëmujor, autoritetet britanike kapën sasi të mëdha kokainë dhe para të gatshme në lidhje me aktivitetin e tij kriminal.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes dhe po vazhdojnë hetimet. Kësaj piste i qëndron edhe vëllai i të riut, i cili ka hedhur poshtë spekulimet që vdekja ka të bëjë me çështje kriminale, duke sqaruar se e gjithë ngjarja ka të bëjë me vetëvrasje nga depresioni.
Në një intervistë për Top News, ai tregoi se autoritetet belge kanë përfunduar autopsinë, e cila konfirmon vetëvrasjen dhe nuk ka gjetur shenja dhune në trupin e të ndjerit.
“Është çështje depresioni, nuk ka të bëjë me gjëra të tjera që thuhen në media. Nuk e dimë çfarë problemesh ka pasur vëllai, por mesazhet që na ka dërguar na kanë bërë të dyshojmë se ka shkuar në gjendje depresioni. Mua më ka informuar policia për gjithçka. Autopsia ka dalë që është vetëvrasje. Nuk ka pasur asnjë shenjë dhune në trup”, tha Redi Halilaj.
Megjithatë, mënyra e pazakontë e gjetjes së trupit, i varur në një zonë publike dhe me kabllo elektrike, ka ngritur dyshime mbi një skenar të mundshëm vrasjeje apo ekzekutimi. Autoritetet belge pritet të dalin së shpejti me një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjes./ZËRI
