TIRANË- Drejtoria e Burgjeve ka dhënë detaje mbi tentativën e Bledar Selmanajt për t’u arratisur nga qelia ku vuante dënimin për vrasje në burgun e Fierit. Në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve thuhet se Selmanaj ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij. Ai është vendosur në një dhomë të veçuar deri në përfundimin e hetimeve për rastin.
NJOFTIMI I DREJTORISË SË BURGJEVE
Më datë 24.09.2025, rreth orës 03:48, i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset.
Ai ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.
Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Ky shtetas ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron dhe garanton një nivel të lartë sigurie dhe mbarëvajtje të qetë në sistemin e burgjeve.
KUSH ËSHTË BLEDAR SELMANAJ
Selamanaj i mori jetën shokut të tij, pas konflikteve që kishin për një sasi lënde narkotike, ngjarje e ndodhur kjo në Gusht të vitit 2021.
Xhulian Bullari u gjet i vdekur në aksin Vlorë-Babicë, në një makinë tip 'Fiat Punto, ku sipas ekspertizës ai ishte qëlluar me tre plumba nga pasagjeri, ku njëri prej tyre e ka kapur në kokë dhe i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Viktima dhe autori ishin njohur më parë në qelinë e burgut dhe më pas kanë vazhduar pazaret e drogës jashtë saj. Viktima, Xhuliano Bollari ka qenë i akuzuar më parë për veprën penale “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” të shtetasve sirianë.
Sipas dëshmisë që vetë Selmanaj dha asokohe pas arrestimit, konflikti mes tyre ka nisur për 3 mijë euro drogë, që Bullario i pagoi me euro false. Selmanaj negocioi për 100 kg hashash mes miqve të tij dhe shokut të burgut. Shitja u bë në Elbasan, por pala e viktimës pagoi me euro false. Ky ka qenë dhe momenti i krisjes mes miqësisë zënë në qeli./ZËRI
