TIRANË- Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe vendosi kalim për gjykim të Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit. Prokurori Adnan Xholi bëri kërkesë, ndërsa gjyqtari Bib Ndreca dha vendimin për kalimin në gjykim. Ndërkohë, pas disa ditësh që do të hidhet shorti për të përcaktuar treshet e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë dosjen në themel.
Lidhur me këtë ngjarje, Amar Shkëmbi ishte shpallur në kërkim nga SPAK. Tetorin e vitit të kaluar, Shkëmbi u ekstradua nga Dubai për llogari të autoriteteve shqiptare.
Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK ndaj Amar Shkëmbit, ai së bashku me Plarent Dervishajn, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, kanë vepruar në vitin 2019 në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpujnimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Më 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit “Rrumit” iu bë pritë në atentat teksa udhëtonte në makinën e ish-prokurorit Arjan Ndoja. Të dy mbetën të plagosur, ndërsa fatkeqësisht plumbat i morën jetën shoferit, Andi Maloku, një të riu 29-vjeçar nga Fushë-Kruja./ZËRI


