TIRANË- Princ Dobroshi është ekstraduar drejt Gjermanisë, ku dhe do të dalë para Gjykatës së Hamburgut për veprën penale të trafikut të drogës. Ndërsa më tetor atij iu refuzua rekursi nga Gjykata e Lartë. Ky rekurs kundërshtoi vendimin e apelit për ekstradimin e tij në Gjermani. Më 9 prill, Apeli vendosi ekstradimin e tij drejt Gjermanisë ku për këtë çështje i dërgoi edhe vendim Ministrisë së Drejtësisë për ta zbatuar, por Dobroshi çoi në Gjykatën e Lartë një kërkesë ku kërkoi anulimin e këtij vendimi.
Pavarësisht rekursit, ai do të ekstradohet në Gjermani ku dhe do të njihet me dënimin e tij. Princ Dobroshi, në Norvegji dhe Ceki njihet si bosi i mafia shqiptare të drogës. Mediat në këto dy vende i referoheshin me nofkën “Peshkaqeni”.
Kush është Princ Dobroshi?
Në vitin 1988, kur ishte vetëm 24 vjeç u largua nga Kosova drejt Gjermanisë, ku nisi të merrej me biznesin e lojërave të fatit. Me pas, ai u shpërngul në Norvegji kur e zgjeroi aktivitetin e kazinove. Por, jeta e tij mori kthesë kur në vitin 1993 u arrestua nga policia norvegjeze dhe u akuzua për trafik droge. Në vitin 1994, autoritetet norvegjeze e dënuan me 14 vite burgim, por tre vite më vonë, në vitin 1997, u arratis nga burgu pasi korruptoi gardianët. Kjo ishte dhe ngjarja që bëri që shqiptari nga Kosova të pushtonte mediat norvegjeze që i vunë dhe nofkën “Peshkaqeni” i heroinës. Në vitin 1999, Dobroshi u arrestua nga autoritetet policore çeke në Pragë, në kuadër të operacionit “Kafaz”, duke e rikthyer në qeli, ku qëndroi deri në vitin 2005.
Pasi kreu dënimin, Princ Dobroshi u përcoll nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë, ku iu rikthye biznesit të lojërave të fatit. Ai vazhdimisht mohonte të kishte të bënte me trafikun e drogës. Madje, në një rrëfim për mediat në Kosovë, ka rrëfyer se heroinën në makinë ia kishin vendosur për ta futur në kurth. /ZËRI