POLIÇAN- Një 63-vjeçari me iniciale M.S., është proceduar penalisht nga policia, pasi dyshohet se ndezi zjarrin në territorin e Kombinatit Mekanik në Poliçan dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pyjore. Sipas njoftimit të policisë, bëhet me dije se 63-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë, bëhet me dije se zjarri që ra mbrëmjen e djeshme brenda territorit të Uzinës së Armëve është shuar, ndërsa sot po punohet për të fikur plotësisht pjesën e mbetur të pyllit me shkurre. Në fikjen e zjarrit u angazhuan 3 mjete dhe 15 zjarrfikës të Repartit Zjarrfikës Berat, 1 mjet me 6 zjarrfikës të Repartit Zjarrfikës Skrapar, i gjithë Reparti Zjarrfikës i Poliçanit dhe dhjetëra forca ushtarake.
Njoftimi i Policisë Berat:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. S., 63 vjeç, banues në Poliçan, me probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se në territorin e Kombinatit Mekanik në Poliçan ka ndezur zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pyjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Përgjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, një zjarr masiv nisi fillimisht në pyllin që ndodhet pranë Uzinës së Armëve në Poliçanit dhe i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta, zjarri u përhap me shpejtësi, duke ju afruar zonës C, në të cilën ndodhen magazinat me lëndë plasëse./ZËRI
