Aktualitet

Irani shënjestër Shqipërinë? Njoftimi i SHBA "ngre në këmbë" Antiterrorin: plan masash, shtohet numri efektivëve në terren

Ky vendim vjen pas paralajmërimit të bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, një ditë më parë. 

zh.ll
Irani shënjestër Shqipërinë? Njoftimi i SHBA "ngre
foto ilustruese

TIRANË- Njësia Antiterror pranë Policisë së Shtetit ka shtuar masat e sigurisë në institucionet diplomatike në vend, duke rritur nivelin e gatishmërisë. Ky vendim vjen pas paralajmërimit të bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, një ditë më parë. 

Sipas burimeve, përfaqësues të Antiterrorit kanë zhvilluar takimet në Ambasadën e SHBA-së, ku është diskutuar për situatën e sigurisë dhe është bërë një rivlerësim i rreziqeve të mundshme. Edhe pse plani i masave ishte hartuar më herët, pas këtij paralajmërimi është shtuar ndjeshëm vlerësimi i situatës dhe monitorimi i elementëve të rrezikut.

Si pjesë e planit të masave:

-do të rritet prania e agjentëve në aeroportin e Rinasit dhe në të gjitha pikat doganore;

-në bashkëpunim me SHISH, do të intensifikohet mbledhja e informacioneve për individë me prirje të dyshuara terroriste;

-shtimi i forcave policore në terren.

Ndërkohë, një ditë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë griti alarmin për një kërcënim të mundshëm nga grupe të lidhura me Iranin ndaj objekteve të lidhura me Shtetet e Bashkuara. Ajo u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar, duke theksuar se objektiva të mundshëm mund të jenë anëtarë të opozitës iraniane në vend, si dhe hapësira publike të frekuentuara nga qytetarët në Shqipëri.

Alarmi i ambasadës

Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar.

Paralajmërimi i Ambasadës amerikane në Tiranë vjen në një moment kur përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shtrihen përtej retorikës politike, duke përfshirë edhe operacione konkrete në fushën kibernetike dhe të sigurisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB