TIRANË- Ambasada amerikane në Tiranë ka dalë me një njoftim të rëndësishëm duke paralajmëruar se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, ose elementë të opozitës iraniane në vendin tonë. Përmes një njoftimi, ambasada deklaroi se këto grupe, gjithashtu mund të synojnë vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Gjithashtu, në njoftim, u bëhet thirrje qytetarëve amerikanë në Shqipëri të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndërmarrin masa paraprake për të garantuar sigurinë e tyre personale.
"Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar.", shkruhet në njoftim.
Paralajmërimi i Ambasadës amerikane në Tiranë vjen në një moment kur përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shtrihen përtej retorikës politike, duke përfshirë edhe operacione konkrete në fushën kibernetike dhe të sigurisë.
Më 20 mars të këtij viti, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë ndërmarrë një operacion të rëndësishëm kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin. Sipas autoriteteve amerikane, Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë e Iranit përdorte këto katër faqe për të publikuar të dhëna të ndjeshme të vjedhura gjatë sulmeve kibernetike, si dhe për të bërë thirrje për dhunë ndaj gazetarëve, kundërshtarëve të regjimit dhe shtetasve izraelitë.
Madje, sipas Departamentit të Drejtësisë, disa prej këtyre platformave janë përdorur edhe për publikimin e materialeve të vjedhura nga institucione shqiptare, duke e vendosur Shqipërinë drejtpërdrejt në këtë përballje. Shqipëria mbetet një pikë e ndjeshme sa i përket sulmeve kibernetike nga Irani, sakaq, thirrja për vigjilencë e autoriteteve amerikane merr rëndësi edhe më të madhe.
Vetëm një ditë më parë, 31 mars, u raportua për sulm kibernetik ndaj sistemeve të institucioneve të drejtësisë. Konkretisht, ndaj Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa sot, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se këto sulme janë të pa evitueshme, por shtoi se do të vijohet të investohet në këtë drejtim dhe se vendi ynë po monitoron në kohë reale çdo sulm të mundshëm./ZËRI


