TIRANË-Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), teksa ka folur për herë të parë për akuzat ndaj saj lidhur me hetimin e SPAK për shkelje me tenderat, ka komentuar edhe rolin e ish-zv.drejtorit të institucionit, Daniel Shima.
Gjatë intervistës në 'Top Story' Karçanaj deklaroi se ia kishte kaluar Daniel Shimës të gjitha kompetencat e prokurimeve publike në institucion. Ish-drejtoresha deklaroi se Shima kishte përgjegjësi për proceset administrative të prokurimeve, ndërsa ajo vetë ishte fokusuar në zhvillimin teknologjik të institucionit. Sipas saj duhet të hetohet me seriozitet nga institucionet.
Mirlinda Karçanaj: Daniel Shima ka qenë përgjegjës për të gjithë procesin administrativ të procesit të prokurimit. Unë kam qenë e përqendruar të plotësohet procedura teknologjike për tu bërë AKSHI. Unë personalisht nuk jam marrë me këtë proces, por jam përkushtuar për të ndjekur me kujdes këtë proces që të bëhet brenda rregullave. Në një periudhë unë e kam deleguar autoritetin kontraktor te Daniel Shima dhe gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur komunikim në lidhje me këtë procedurë. Unë nuk dua të paragjykoj Daniel Shimën në lidhje me atë çka po thuhet në media, por duhet të them se institucionet duhet të hetojnë me seriozitet. Për të mirën flet vetë historia e AKSHI-t, ndërsa për të keqen do të duhet të presim fundin e hetimeve dhe vendimet e gjykatës.
SPAK e akuzon ish-nëndrejtorin e AKSHI-t, Daniel Shima për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, sipas dosjes hetimore. Megjithatë, ndaj Shimës nuk është caktuar masë sigurie, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë. Ndërkohë Karçanaj ishte vendosur më herët në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të caktuar nga GJKKO, por me vendimin e fundit, Gjykata e Lartë ka ndryshuar këtë masë, duke i caktuar ish-drejtoreshës së AKSHI-t masën detyrim paraqitje./ZËRI


