VLORË-Në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë kanë filluar diskutimet lidhur me konsultimet publike për draftin e Kodit të ri Penal. Pas mbledhjes së parë në Tiranë, Ministria ka zhvilluar tryezën e dytë të konsultimeve në Vlorë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria e Drejtësisë theksoi se kontributet e dhëna nga gjyqtarët, prokurorët, avokatët, noterët dhe përmbaruesit gjyqësorë kanë një vlerë të çmuar e do të reflektohen në përmirësimin e përmbajtjes së draftit.
Ndërkohë do të vijohet me organizimin e tryezave të tjera dhe diskutimeve të gjera publike, për të marrë ekspertizën më të mirë që duhet për një Kod Penal modern dhe sipas standardeve të Brukselit. Ligjet e reja në Kodin Penal do të diskutohen në 25 tryeza.
Në tryezën e parë ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se në pak ditë që drafti është hedhur për konsultim publik, ka patur shumë komente shqetësuese, kundërshtime, si dhe sugjerime për ndryshime, të cilat janë mbajtur shënim.
Kodi Penal aktual është miratuar në vitin 1995 dhe që prej asaj periudhe ka pësuar 32 ndërhyrje, nga të cilat 23 ndërhyrje legjislative dhe 9 ndërhyrje me vendime të Gjykatës Kushtetuese. Drafti i ri pritet të kalojë për miratim në Kuvend në sesionin e ri parlamentar që nis në shtator./ZËRI


