Aktualitet

SPAK, provë të re korrupsioni/ Avokati: Karta ka qenë e ish-bashkëshortes! Meta: Duan të më mbaj çift me zor

Meta thotë se mban përgjegjësi vetëm për veten dhe për askënd tjetër.

F.I
SPAK, provë të re korrupsioni/ Avokati: Karta ka qenë e
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta

TIRANË-Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zhvilluar sot seancën gjyqësore për të shqyrtuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për ndryshim të masës së sigurisë. Meta, i cili mbahet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, kërkon lirinë, pasi sipas tij janë shkelur afatet, duke kaluar 8 muaj dhe në asnjë rast nuk është paraqitur nga SPAK informacion dy mujor mbi çështjen. Avokat i tij Kujtim Cakrani kërkoi të njihet me aktet dhe GJKKO e shtyu seancën më datë 26 qershor ora 10:30. 

Ndërkohë SPAK ka depozituar një dokument prej 31 faqesh, ku mësohet se nga hetimet është zbuluar një tjetër episod i dyshuar korrupsioni që i atribuohet ish-çiftit Meta-Kryemadhi. Bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare që rezulton se është përdorur për blerje dhe shpenzime të ndryshme. Karta bankare i është vënë në dispozicion Kryemadhit dhe Metës nga biznesmeni Adrian Shatku. 

Në lidhje me provat e reja, avokati i Ilir Metës në një prononcim për gazetarët, ia atribuoi ish-bashkëshortes së kreut të PL, Monika Kryemadhit.

Po ashtu edhe kreu i PL, Ilir Meta në një reagim nga burgu ka mohuar të ketë përdorur kartë bankare. Kreu i PL thotë se mban përgjegjësi vetëm për veten dhe për askënd tjetër. Me ironi, Meta shkruan se Dumani kërkon ta mbajë çift me Monikën me “zor”, pasi edhe kur iu komunikuan akuzat si i pandehur, statusin e kishte ende i martuar.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksione të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi. Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti. Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u komunikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti.

Akoma më të turpshme janë lajmet që qenka zbuluar një kartë e paligjshme që implikon Ilir Metën. Asnjë akt i paligjshëm as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër. Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel, që nuk mund të jetë i mbyllur si “listat  e mbyllura,” por do të jetë i hapur për qytetarët, ku ne do të çmontojmë akuzat e shërbëtorëve të Edi Ramës dhe ku të gjithë do t’i shohin edhe “dëshmitarët” të Edi Ramës.

Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër. Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë e tij, pasi siç e dini një prej tyre ishte edhe mik me Charles McGonigalin, iniciatorin me kërkesë të Edi Ramës për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës edhe për çështjen CEZ-DIA edhe për çështjen Bami. Por prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve. Meqë jemi te lobimet dhe Kryesia e Partisë së Lirisë e ka shumë të qartë, për opinionin publik kam një pyetje: Po letërporosia për Charles McGongial, që ka 4 vite i dënuar, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur “me not”?

Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB