TIRANË-Është publikuar kërkesa që Prokuroria e Posaçme i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit të deputetit të Belinda Balluku, duke i hapur kështu rrugë arrestimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në shkresë theksohet se SPAK kërkon dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në atë të arrest në burg/në shtëpi.
SHKRESA:
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar Deputetë të Kuvendit,
Mbështetur në nenet 73, 95,103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ ministrit/ zëvendëskryeministrit Belinda BALLUKU, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes
jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.
Altin Dumani
