Aktualitet

“Ose ne, ose ju!”/ Protesta e Hotolishtit, banorët përplasjen me Policinë, marrin me vete një arkivol: Na jepni llogari për rrugën

Pasditen e sotme, banorët, me një arkivol në krah si simbolikë, kërkojnë informacion për projektin e rrugës që do të ndërtohet në zonën e tyre. 

k.m.
“Ose ne, ose ju!”/ Protesta e Hotolishtit, banorët
Foto ilustruese

LIBRAZHD- Banorët e Hotolishtit kanë dalë në protestë kundër projektit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë duke u përplasur edhe me punonjësit e Policisë së Shtetit. Pasditen e sotme, banorët, me një arkivol në krah si simbolikë, kërkojnë informacion për projektin e rrugës që do të ndërtohet në zonën e tyre. 

“Duam tunel,”- dëgjohen duke thënë banorët, ndërsa janë ulur në mes të rrugës, duke bllokuar qarkullimin. 

“Hotolishti është gati të përgjigjet, ose ne, ose ju,”- shkruhet në një pankartë vendosur pranë arkivolit. Për mediat që shkuan për të raportuar protestën, banorët u shprehën të zhgënjyer nga heshtja e institucioneve shtetërore, duke shtuar se kanë kërkuar takime me zyrtarë të qeverisë, por deri më tani i kanë mbajtur me premtime dhe nuk kanë marrë masa konkrete.

Ata shprehen se janë pro zhvillimit të rrugës, por kërkojnë që të mos kalojë përmes fshatit, duke propozuar ndërtimin e një tuneli si alternativë. Sipas tyre, me projektin që i është njoftuar pa i treguar asnjë dokument, 30 banesa do të shemben. 

“Kemi kërkuar zgjidhje. Institucionet shqiptare vazhdojnë të heshtin. Asnjë përgjigje, asnjë reflektim, asnjë dialog. Në mungesë të çdo reagimi, protestojmë me aktin më të dhimbshëm simbolik, arkivolin”, u shpreh një nga banorët, duke shtuar: “Ky nuk është një projekt zhvillimi, por një sulm i drejtpërdrejt ndaj një komuniteti të tërë.”

Njëri nga protestuesit u shpreh i revoltuar se ka punuar gjithë jetën në emigrim për të ndërtuar atë shtëpi, të cilën tani do t’ia shembë shteti. Ai vijoi duke akuzuar se qeveria do të presë “të marrë zgjedhjet” dhe më pas do të ndërmarrë akte më të rënda ndaj largimit të tyre nga banesat, duke e krahasuar me ngjarjen e banorëve të "5 majit".  

“Thuaj ministrit nuk e zbatoj urdhrin se është urdhër kriminal, nuk është urdhër njerëzor. Ky është krim që bëni, të më nxjerrësh nga shtëpia. Një jetë të tërë more më është shkërdh*er nona në Greqi dhe rrugëve të botës për të bërë atë shtëpi t’i më thua dil përjashta tani se do ta shemb unë. Kush je ti more pis?
Jo do ta mbroj, por në çdo lloj mënyre, deri në vrasje do shkoj. Kam nitrat e kam ure, çdo lloj bombe kam për të bërë, se vetëm ekzekutimi na ka ngel në dorë. Deri më tani asnjë lloj përgjigje. Na mashtron ajo **** do vij sot e do vij nesër, asnjëherë nuk vjen. Ne nuk kemi çfarë të humbim më. Do bëjmë cdo bombë rrethanore që mundemi. Nuk kemi rrugë tjetër. Kërko gjithandej, më gjej një rast të tillë në botë, të prishet një fshat i tërë që të kalojë rruga. Çfarë është kjo? As Enver Hoxha nuk i ka bërë këto. Cili e bën këtë?! Të sjellin projektin këtu. Asgjë nuk na sjellin që ta shohim. Ku kalon, si bëhet. Fare! Presin të marrin zgjedhjet dhe të hedhin gazin lotsjellës që të na nxjerrin nga shtëpitë. Sa të mbarojnë shtëpitë, do vijnë këta me shkopa gome dhe gaz lotjsellës si atje tek "5 maji" në Tiranë,”- u shpreh ai.

Por protesta nuk vazhdoi për gjatë, pasi u bë edhe ndërhyrja e Policisë së Shtetit. Edhe pse në tubim kishte gra dhe fëmijë, sërish efektivët e Policisë së Shtetit i kanë shtyrë forcërisht, edhe pse qytetarët kishin dalë për të kërkuar të drejtën e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB