Aktualitet

"Po tentojnë të frikësojnë opozitën," Erisa Xhixho për arrestimin e Ilir Metës: Është pak të thuash rrëmbim

Ajo theksoi se pamjet e arrestimit treguan një akt të paprecedentë të qeverisë, duke tërhequr zvarrë një person që, sipas saj, nuk përbën rrezik publik.

M.M
"Po tentojnë të frikësojnë opozitën," Erisa
Erisa Xhixho

TIRANË- Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së arrestimit të Ilir Metës, duke e cilësuar atë si një "rrëmbim". Në një intervistë për emisionin ‘Open’, Xhixho e përshkroi ngjarjen si një trajtim çnjerëzor, duke nënvizuar se bëhej fjalë për një ish-president që nuk i është shmangur asnjëherë drejtësisë.

“Po ndiqja me vëmendje argumentet e specialistëve të drejtësisë, dhe padyshim që është pak të thuash është një rrëmbim. Mjafton të shohësh kamerat, sesi është trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Është akoma më e rëndë kur flasim për një ish-president që nuk i është shmangur asnjëherë institucioneve të drejtësisë, deri në heqjen e imunitetit në karrierën e tij politike," u shpreh Xhixho.

Ajo theksoi se pamjet e arrestimit treguan një akt të paprecedentë të qeverisë, duke tërhequr zvarrë një person që, sipas saj, nuk përbën rrezik publik. Sekretari organizativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peci, ishte dëshmitar okular dhe konfirmoi parregullsitë e trajtimit të Metës.

“Jam tronditur se 20 veta në mes të rrugës, për të bërë një shoë, që në kohë reale u publikuan videon, një ngjarje e inskenuar, me mesazh të qartë; kush denoncon, kush është opozitar, kush flet kundër kësaj qeverie, përfundon në këtë gjende," theksoi Xhixho, duke akuzuar qeverinë për një mesazh intimidues ndaj opozitës.

Sipas Xhixhos, ngjarja ka për qëllim të frikësojë dhe të godasë figurat opozitare, duke e quajtur një turp për qeverinë dhe një moment të rëndë në politikën shqiptare.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”./ZËRI

Poll

MOS HUMB