TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mekanizmin e plotë të ngjarjes së 6 tetorit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri në mes të sallës së gjyqit, në Gjykatën e Apelit. Siç u raportua edhe më herët, edhe nga hetimet e deritanishme dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se ngjarja ndodhi brenda sallës nr. 3 të Gjykatës së Tiranës, në prani të personave të tjerë.
Ndërkohë, për herë të parë janë bërë publike edhe fjalët që janë konsumuar në sallë pak çaste para krimit.
“Se po vërtetoj ato që ka thënë e gjithë Shkodra per ty që ti je ...."-Kjo është fjalia që Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit, iu drejtua gjyqtarit Astriti Kalaja sapo ky i fundit dha vendimin kundër familjes së tij.
Pas kësaj, gjyqtari Astrit Kalaja i është përgjigjur: “Vazhdo ti, vazhdo…”
Ky ka qenë momenti që 'vulosi' vendimin jo vetëm të çësthjes, por edhe atë të Elvis Shkambi, nipi i Gjon Shkambit, i cili menjehërë ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë drejt gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Sikurse është bërë me dije dhe më herët, në sallë ndodheshin Elvis Shkambi, Rakip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj (babë e bir), palë në proces. Sipas dëshmisë së Ervis Kurtajt, ai ka tentuar të largohet së bashku me të atin, por autori ka qëlluar edhe në drejtim të tyre. Si pasojë, Ervisi është plagosur në krahun e djathtë, ndërsa Ragipi ka marrë plagë në brinjë.
Ndërkohë, jashtë Gjykatës qëndronin Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes së Astrit Kalasë, Elvis Shkambit dhe persona të tjerë.
Dëshmia e Gjon Shkambit: “Jam viktimë, nuk dija gjë për vrasjen”
Gjon Shkambi, i cili shoqëronte nipin e tij në gjyq, ka mohuar përfshirjen në krim. Në dëshminë e tij përpara prokurorëve, ai ka deklaruar se nuk ka dijeni për atë që do të ndodhte:
“Jam viktimë në këtë rast, nuk kam vrarë njeri, s’kam ditur gjë. Me nipin, Elvisin, kemi një pronë të përbashkët, për të cilën ishim në gjyq.”
Gjon Shkambi pretendon se pasi nipi qëlloi ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja, qëndroi i shokuar në sallë, pa kryer asnjë veprim. Ai ka deklaruar se pas vrasjes së gjyqtarit, mban mend vetëm t’i ketë thënë Elvisit: "Na fike!"
“Janë duke më marrë në qafë, jam një viktimë në këtë rast, veç pa plagë në trup”, mësohet të jetë shprehur Gjon Shkambi.
Sipas dëshmisë së rojës së gjykatës, Gjon Shkambi ka tentuar të dalë nga dera kryesore pas vrasjes, por një nga pala e plagosur i ka thënë ta kapin atë person pasi është me autorin. Roja tregon se e neutralizoi 56-vjeçarin dhe e futi në ambientet e brendshme të gjykatës për të mos u larguar.
Ndërkohë në një tjetër dëshmi të nipit të Gjon Shkambit pretendohet e kundërta. Sipas tij, ai i dha çelësat e makinës xhaxhait dhe i tha të largohet se ai nuk kishte punë me këtë histori, por ai qëndroi në oborrin e gjykatës.
Arma dhe provat e sekuestruara
Në vendngjarje u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në krim, një pistoletë tip “ëelt ëaffen ë Germany, Cal. 7.65 mm, Broëning”. Por, ndryshe nga sa u raportua më herët se autori nuk kishte më plumba, nga ekspertiza rezulton se arma kishte ende një fishek të gatshëm për qitje dhe dy të tjerë në karikator.
Në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë është gjetur edhe një automjet tip “Mercedes-Benz”, me targa AA900AA, në pronësi të Gjon Shkambit. Gjatë kontrollit në makinë janë gjetur dhe sekuestruar 31 fishekë kalibri 9 mm, të cilët sipas ekspertëve janë fishekë manovër.
Më herët, Prokuroria e Tiranës rindërtoi dinamikën e ngjarjes, teksa zyrtarizoi akuzat.
Konkretisht, janë ngritur akuzat penale ndaj autorit Elvis Shkambi, për “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”, Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe shtytës në ngjarje dhe Banush Koçiu, punonjës sigurie në gjykatë, për “Shpërdorim detyre”. Për tre të arrestuarit prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë "arrest me burg".
Sipas dinamikës së rindërtuar, bëhet me dije se Elvis dhe Gjon Shkambi, kanë hyrë në gjykatë njëri pas tjetrit në orën 13:42 të asaj dite, ndërsa skaneri nuk ka sinjalizuar prezencën e armës. Ndërkohë, në përfundim të seancës në fjalë, rreth orës 15:35 të së hënës, sapo është shpallur vendimi, Shkambi ka nxjerë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja. Më pas, autori i ka drejtuar armën edhe Rakip e Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët mbetën të plagosur.
Ndërkohë, masa "arrest me burg" është kërkuar edhe për xhaxhain e autorit Gjon Shkambi, pasi dyshohet se ka qenë në dijeni se nipi i tij ka patur armë me vete dhe ka qenë në dijeni të planeve të tij për të vrarë gjyqtarin e Apelit nëse do jepte një vendim në dëm të tyre. Sakaq, punonjësi i sigurisë, ndaj të cilit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontroll fizik apo regjistrimin e këtyre personave në librin e protokollit.
Me vendimin e 9 nëntorit, Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 personat e arrestuar për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja./ZËRI

