TIRANË-Në Shqipëri është konfirmuar zyrtarisht rasti i parë i murtajës tek dhitë. Rasti është identifikuar në një fermë të dhive në fshatin Postribë, në Shkodër dhe bagëtitë e infektuara do të eleminohen. Lajmi u dha nga drejtori i Përgjithshëm i Sherbimit Veterinar në Shkodër, Sulejman Kullolli, i cili ka folur në lidhje me fermën e cila është karantinuar prej ditësh në fshatin Postribë. Ai theksoi se do të izolohet zona deri në 10 km nga ferma. Më tej ai shtoi se sëmundja prek kafshër e imta, por nuk kërcënon shëndetin e njerëzve. Kullolli u bëri thirrje fermerëve që në rast se kanë dyshime, menjëherë te lajmërojë shërbimin veteriner më të afër për të shqyrtuar rastin.
Drejtori i Përgjithshëm i Sherbimit Veterinar në Shkodër, Sulejman Kullolli: Siç jeni në dijeni, për herë të parë në Shqipëri u shfaq murtaja në një fshat në Postribë. Kjo sëmundje u njoftua nga fermeri më datën 3 qershor. Ferma është vënë në karantinë. Sot bëhet eliminimi i krerëve dhe do izolohet zona në 3 dhe 10 km. Ndalohet lëvizja e kafshëve brenda territorit pra në Shkodër dhe malësi e madhe nuk lejohet lëvizja e kafshëve kjo për të parandaluar vazhdimin. Kjo sëmundje prek të imtat, por nuk kërcënon shëndetin e njerëzve. Nga monitorimi kishim një indicie dje në një tjetër zonë. Ne u paraqitem në fermë, por nuk u konstatuan shenja të kësaj sëmundje. Me masat kufizuese, kanë dalë masat përkatëse dhe me institucione dhe po ndalojmë lëvizjen e kafshëve. Kemi të bëjmë me një ferme të vogël dhe nuk ka dalë as mishi e as qumështi i saj nuk ka dalë në treg. Nuk është sëmundje që transmetohet nga nënproduktet nëse zihen në temperatura të larta. Shërbimi veterinar ushtron kontrolle dhe nuk kemi konstatime për ferma të tjera. I bëj thirrje çdo fermeri që kur ka dyshime, menjëherë te lajmërojë shërbimin veteriner më të afërt.
Ferma e bagëtive në fshatin Domen, Shkodër, u vendos në karantinë nga Shërbimi Veterinar pas shfaqjes së simptomave të një sëmundjeje të dyshuar virale, shumë ngjitëse, te bagëtitë e imta. Pronari i kësaj ferme, Zamir Milani, raportoi se i kishin ngordhur 3 krerë dhe një tjetri 6 të tjera, ndërsa ka informacion se kjo sëmundje është përhapur edhe te delet në atë zonë. Sot u raportua për ngordhje të bagëtive edhe në Trush./ZËRI

