Aktualitet

“Mësime falas” online për të investuar në “Xuex”, Policia-qytetarëve: Mos bini pre e mashtrimeve!

Autoritetet apelojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj ofertave për “mësime falas” dhe investime me fitim të shpejtë në kriptovaluta.

zh.ll
“Mësime falas” online për të investuar në
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me firmat piramidale online TXEX dhe XEUX, të raportuara më herët nga ZËRI, ku janë mashtruar mijëra qytetarë. Autoritetet apelojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj ofertave për “mësime falas” dhe investime me fitim të shpejtë në kriptovaluta. Skemat mashtruese po ndiqen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike për zbardhjen e plotë dhe nxjerrjen para përgjegjësive ligjore të autorëve. Policia paralajmëron se grupet kriminale përdorin forma të reja mashtrimi online, përfshirë grupe në “Viber” dhe “Telegram”, që ofrojnë “mësime falas” për kriptomonedha për të fituar besimin e qytetarëve.

Njoftimi:

Apel për kujdes, për të mos rënë pre e mashtrimeve online.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për të mos rënë pre e mashtrimeve online, të cilat prezantohen si mundësi investimi me fitim të shpejtë, kryesisht në formën e skemave piramidale dhe investimeve në kriptomonedha.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, po vijojnë hetimet e thelluara në kuadër të operacionit “XUEX”, për zbardhjen e plotë dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të autorëve dhe agjentëve që kanë organizuar skema mashtruese të firmave piramidale online.

Gjithashtu, po vijon ndjekja dhe dokumentimi i lëvizjeve të kriptovalutave të përdorura në këto aktivitete kriminale.

Pavarësisht reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe goditjes së këtyre skemave mashtruese, grupet kriminale po përpiqen të përdorin forma të reja mashtrimi online për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Në këtë kontekst, është konstatuar se në platforma komunikimi si “Viber”, “Telegram” dhe të ngjashme, po qarkullojnë grupe që ofrojnë “mësime falas” mbi funksionimin e kriptomonedhave. Qëllimi i tyre i vërtetë është të fitojnë besimin e qytetarëve dhe më pas t’i nxitin ata të investojnë në platforma mashtruese.

Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë humbur para, duke investuar në platforma si “Xuex”, “Txex” apo të tjera të ngjashme, të paraqiten në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe në sektorin për Hetimin e Krimit Kibernetik në çdo drejtori vendore të Policisë, për të denoncuar rastet.

Denoncimet tuaja janë thelbësore për dokumentimin e plotë të këtyre aktiviteteve dhe për mbrojtjen e qytetarëve të tjerë, që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të çdo forme tjetër mashtrimi online.

Disa javë më parë, një denoncim i mbërritur në redaksinë e ZËRI na vuri nën alert për një skemë e cila sipas denoncuesit anonim ishte duke zhvatur qytetarët shqiptarë. Situata u bë alarmante pasi qytetarët të cilët kanë investuar lekë, kërkojnë të tërheqin shumën që kanë hedhur ose ato që kanë fituar, por nuk kanë arritur ti marrin mbrapsht. Në skemë janë një rrjet i gjerë i pikave të këmbimit valutor që bëjnë kthimin e parave nga dollarë fizikë në një portofol dixhital me ‘ustd’. Pasi portofoli virtual i fermerit mbushet me monedhat virtuale ai është i lirë të investojë.

Dy platformat TXEX dhe XEUX paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para raportohet të jetë gati 6 mijë. ZËRI u interesua nga afër ku banorët e Divjakës treguan me detaje se si investojnë lekët dhe rrugën që ndjekin nga regjistrimi në platformë deri tek mënyra si i tërheqin lekët. Ndërkohë, organizatorët e këtij aktiviteti kriminal vijojnë të jenë nën hetim nga policia shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk është arrestuar./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB