ELBASAN-Lirohet nga paraburgimi avokati Ulian Barjami. Avokati u arrestua më 17 tetor, pas kallëzimit të prokurorit Gjergji Ceka, i cili pretendoi se Barjami e ka kërcënuar dhe akuzuar për falsifikim provash. Lirimi është urdhëruar nga organi i akuzës, Prokuroria e Elbasanit, e cila konstatoi se arrestimi ishte i paligjshëm. Prokuroria urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij, pa e dërguar çështjen në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.
"Ndërkohë, lidhur me ndalimin e shtetasit U.B, nga ana e prokurorit të çështjes, është mbajtur qëndrimi se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi dhe për kërkimin përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të vleftësimit të tij apo caktimit të një mase sigurimi personal. Për rrjedhojë, si pasojë ligjore ipso jure, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të ndaluarit,"-thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria e Elbasanit-Deklarata për media.
Në seancën e 17 tetorit, Ulian Barjami ishte avokati mbrojtës i Maksim Likës, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit. Akuza ndaj Likës përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka. Avokati pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, ka deklaruar gjatë seancës se provat janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit.
Nga ana tjetër prokurori Ceka, i cili sipas Dhomës së Avokatisë në procesverbalin e sjellë me shkrim në seancë përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, replikoi me avokatin Barjami duke e paralajmëruar se do të arrestohej.
Arrestimi i tij shkaktoi një valë reagimesh, ku madje Dhoma e Avokatisë bojkotoi të gjitha seancat deri më 25 tetor./ZËRI



