VLORË- Nëndrejtori i Kadastrës së Vlorës, Sokol Shehaj, është liruar nga detyra, për shkak se firmosi kundër transferimit të këtij institucioni në Tiranë. Shehaj u prit me duartrokitje dhe mes lotësh nga stafi, pasi konsiderohet si një nga drejtuesit që ka mbështetur hapur punonjësit e Hipotekës në këtë situatë. Shehaj është shkarkuar nga detyra, pikërisht për shkak të qëndrimit të tij në mbrojtje të punonjësve dhe për firmosjen e peticionit kundër zhvendosjes së institucionit.
Punonjësit e Kadastrës së Vlorës e cilësojnë largimin e tij si një veprim ndëshkues dhe një sinjal negativ për çdo zë që kundërshton vendime të marra pa konsultim. Ata theksojnë se transferimi në Tiranë do të sjellë vështirësi të mëdha ekonomike dhe familjare, përfshirë pamundësinë për zhvendosje, rritje të kostove të jetesës dhe largim nga vendbanimet e tyre.
Punonjësit e Kadastrës së Vlorës vijuan sot kundërshtimin e tyre ndaj vendimit për zhvendosjen e institucionit drejt Tiranës. Ata vijojne te qëndrojnë në ambientet e Kadastrës së Vlorës, në shenjë proteste, duke kërkuar rishikimin e këtij vendimi që, sipas tyre, cenon jo vetëm të drejtat e punonjësve, por edhe shërbimin ndaj qytetarëve të qarkut të Vlorës.
Sipas njoftimeve zyrtare, më datë 31 janar pritet të largohet baza materiale e institucionit, ndërsa 55 punonjës do të transferohen në Tiranë. Punonjësit shprehen se ky proces po zhvillohet pa transparencë dhe pa një dialog të mirëfilltë me stafin, duke krijuar pasiguri për të ardhmen e tyre profesionale dhe sociale.
“Përveç kohës së mjaftueshme, kjo është e pamundur për ne. Kemi familjen, fëmijët, shtëpitë, çdo gjë këtu. Nuk mund të shpërngulemi për 4 ditë në Tiranë pa asnjë sqarim tjetër çfarë kemi nga mbrapa. Me çfarë do vemi? Na kanë siguruar transport, shtëpi, zyra, nuk kemi as drejtor këtu, asgjë. Për vendimin jemi njoftuar vetëm dje, në bazë të vendimit, shpërngulja duhet bërë deri në 31. Para disa vitesh është bërë një shpërngulje e pjesshme, dhe na morën vendim. U shpërngulën vetëm 7 prej nesh, unë jam 55 vjeç tani, si mund ta ndërtoj jetën në Tiranë”, shprehet një prej punonjeseve më të vjetra.
Ndërkohë që një tjetër punonjëse u shpreh se ‘po digjet i njomi me të thatin’, duke iu referuar akuzave për akte korruptive në radhët e këtij institucioni.
“Kemi punuar me rigorozitet, kemi qëndruar jashtë orarit në punë, dhe del një urdhër për transferimin, pa na njoftuar. Kemi nëna që sa janë kthyer nga leja e lindjes, kemi njerëz të sëmurë, në prag pensioni. Po na trajtojnë si leckë, ku do ta gjejnë qytetarët zgjidhjen, kur nuk po e gjejnë me ne këtu. Drejtuesi të mos fshihet në Tiranë, vetëm nga ana morale të ishte këtu me ne”, u shpreh punonjësja e Kadastrës.
Ata theksojnë se transferimi në Tiranë do të sjellë vështirësi të mëdha ekonomike dhe familjare, përfshirë pamundësinë për zhvendosje, rritje të kostove të jetesës dhe largim nga vendbanimet e tyre.
Në këtë situatë, punonjësit u bëjnë thirrje përfaqësuesve ligjorë, deputetëve të qarkut të Vlorës, si dhe drejtuesit politik, që të ndërhyjnë dhe të ofrojnë mbështetje për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ata kërkojnë dialog institucional, transparencë dhe rishikim të vendimit, me qëllim që Kadastra e Vlorës të vijojë funksionimin e saj në shërbim të qytetarëve të zonës./ZËRI
