GJIROKASTË- Kamber Sulçaj autori i vrasjes së biznesmenit italian, Edoardo Sarchit është vetëdorëzuar në Policinë e Gjirokastrës. Sulçaj akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.
Autori është dorëzuar bashkë me armën me të cilën ka kryer krimin, ndërsa nuk ka pranuar të japë deklarime për Policinë lidhur me rrethanat apo motivet e krimit.
“Nuk do të jap asnjë shpjegim sot por në një fazë të mëvonshme dhe në prezencë të avokatit”, ka pohuar ai.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së 27 shtatorit, ku dyshohet se ka qenë një sherr banal për dritat e gjata të makinës që ka çuar në vrasjen e 44 vjeçarit italian.
Sulçaj i bezdisur nga dritat e automjetit që drejtonte Sarchi dhe tre miqtë e tij shqiptarë - Eqrem, Daniel dhe Gazment Braçi - u hakmor me një armë zjarri. Nga hetimet ka rezultuar se Kamber Sulçaj fillimisht është konfliktuar verbalisht, me biznesmenin italian Edoardo Sarchi dhe me shtetasit që shoqëronin këtë të fundit. Më pas, Sulçaj dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të këtyre shtetasve dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën biznesmeni italian./ZËRI


