BRITANI E MADHE- Leonard Farruku, një 27-vjeçar nga Shqipëria, i cili humbi jetën në dhjetor 2023 në bordin e anijes Bibby Stockholm në Dorset, ishte mashtruar për të shkuar në këtë mjet akomodues, pavarësisht refuzimit të tij të prerë dhe paralajmërimeve për gjendjen e tij të rënduar mendore, raporton The Guardian.
Gjatë seancës hetimore në Bournemouth këtë javë, një punonjës komunitar dëshmoi se Farruku kishte refuzuar hapur të shkonte në anije, por më 3 nëntor ishte gënjyer se do të transferohej në një hotel tjetër, kur në fakt u çua në anijen e kontestuar të përdorur nga Ministria e Brendshme britanike për strehimin e azilkërkuesve.
Hetimi mësoi gjithashtu se më 3 nëntor 2023, një email urgjent i dërguar nga kompania kontraktuese Clearsprings për gjendjen e rënduar mendore të Farrukut, nuk u ndoq nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme. Tim Rymer, ish-zëvendësdrejtor për akomodimin e të rriturve dhe familjeve në Home Office, pranoi se “ndoshta” ekipi i tij duhej të kishte reaguar.
Farruku ishte vendosur më parë në një hotel në Devon, ku kishte filluar të shfaqte sjellje të paqëndrueshme psikologjikisht që prej korrikut.
Leonard Farruku ndërroi jetë në dhjetor pa e ditur se ai kishte fituar të drejtën për të punuar në Angli e drejtë e cila iu dha nga Home Office. I riu shqiptar kishte mbërritur në Angli prej një viti dhe qëndronte në një azil në Bibby Stokholm. Ai u kishte paguar kontrabandistëve 4,000 euro për të shkuar në Britani ilegalisht me një varkë të vogël përtej Kanalit në gusht 2022. Më pas, ai kishte kërkuar azil dhe kërkesa e tij po shqyrtohej në mënyrë aktive nga Zyra e Brendshme në kohën e vdekjes së tij më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Farruku kishte aplikuar për të punuar në një profesion me mungesë, siç lejohet sipas rregullave të Home Office dhe e kishte fituar. Lajm të cilin nuk arriti ta merrte arsye e cila ende mbetet e dyshimte pasi autoritet thone se disa ditë para vdekjes së të riut i ishte dërguar njoftimi./ZËRI


