TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Aldo Avdylaj, në kuadër të operacionit “Revanshi”. Avdylaj, i cili ra në prangat e policisë muajin e kaluar në Tiranë, në një operacion që kërkoi dhe ndërhyrjen e RENEA-s për shkak të rrezikshmërisë së tij, ishte shpallur në kërkim nga SPAK, për financimin dhe organizimin e vrasjes së Edmir Bregut, si dhe tentativën për eleminimin e Durim Bamit.
Avdylajt, në momentin e arrestimit iu gjet armë në banesë, ndërsa dyshohet se ishte dhe përdorues i lëndëve narkotike. Ai akuzohet nga GjKKO-ja, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nipi i Astrit Avdylajt akuzohet si organizatori i grupit kriminal që ekzekutoi Ermir Bregun në vitin 2021 në Durrës.
Edhe pse angazhoi ushtarët e tij, nga bisedat e zbardhura në dosje rezulton se ekzekutimin e biznesmenit Aldo e kreu vetë. Aldo Avdylaj doli në terren në 22 janar dhe brenda dy ditëve, më 24 janar njoftoi Enea Kumen dhe 'Rrumin' se puna mbaroj (vrasja e Edmir Bregut). Si ndihmës në vrasje, SPAK akuzon edhe Enea Kumen, vëllain e deputetit të PS, Loer Kume.
Aldo Avdylaj akuzohet nga SPAK edhe si bashkëpunëtor në atentatin ndaj Durim Bamit, vrasje e prorsitur nga ish-deputeti Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ndërkohë, bazuar në operacionin e zhvilluar më 2 tetor, Aldo Avdylaj mori përsipër të ekzekutonte në favor të Aleksandër Lahos, njohur si 'Rrumi i Shijakut' në këmbim të pronave në Durrës e Gjiri i Lalzit. Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi” i premtoi prona në bregdetin e Durrësit, Aldo Avdylajt që ky i fundit ta ndihmonte për të eliminuar kundërshtarët e tij, Plarent Dervishajn, Lulzim Berishën dhe Edmond Koçin, i njohur si 'Mond Çekiçi'./ZËRI


