TIRANË-Tre muaj nga ngjarja e rëndë ku prej 4 qershorit Eglant Koçi u shpall i humbur deri në gjetjen e trupit të tij të pajetë, autori i dyshuar i vrasjes Armand Shakaj vijon të jetë në arrati. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur si shkak i parave të call center-ave dhe të kriptomonedhave, ku në kuadër të hetimeve grupi i hetimit ka pyetur edhe pronarin e një pike këmbimi valutor në Tiranë.
Ishte vëllai i të ndjerit Eglant Koçi, i cili në 5 qershor pasi kishte depozituar denoncimin për zhdukjen e tij, para Policisë ka deklaruar se Koçi konvertonte kriptomonedha në një subjekt pranë Laprakës. Ndërkohë administratori i “Exchange-it” ka shpjeguar se viktima kishte më shumë se një muaj që nuk ishte paraqitur për transferta. Top channel shkruan se kjo dëshmi ka përforcuar dyshimin fillestar të agjentëve të policisë, që vazhdojnë të hetojnë në drejtim të vrasjes së Eglant Kocit në Tiranë, ditën që u paraqit në biznesin e shokut të tij për shkak të portofolëve virtualë.
I dyshuari rezulton se u thirr nga policia gjatë orëve që nuk dihej asgjë për fatin e të riut dhe, ndërsa ai rezultonte i zhdukur, Shakaj shprehet se e kishte takuar Eglantin në datën 3 qershor. Vetë Shakaj deklaroi se Eglant Koçi ishte shfaqur i shqetësuar për paratë e kriptomonedhave dhe të call center-ave.
Shakaj e mashtroi Policinë duke e cituar viktimën t’i kishte thënë: “Njëri nga personat që ka portofolin tonë dixhital ka rënë në burg në Dubai, kurse tjetri i ka luajtur online bixhoz”. Menjëherë pasi u lirua, Shakaj u zhduk duke mos ia hapur telefonin policisë, ndërsa kamerat e sigurisë treguan itinerarin se si Eglanti, duke udhëtuar me një motor, vizitoi shokun e tij në datën 4 qershor. 40 minuta pasi kapërceu atë derë, një person i veshur me të zeza u largua me motorin e viktimës.
Përmes shumë dëshmive dhe kamerave të sigurisë, grupi i hetimit përforcoi dyshimet rreth të kërkuarit.
Pamjet më të rëndësishme për hetuesit janë ato të datës 5 qershor, ora 23:30, ku Shakaj nxjerr në holl, duke e tërhequr zvarrë, një qese në formën e trupit të njeriut, që e largon më pas me automjet. Kufoma u gjet pas ditësh të gjata të kërkimeve, ndërsa ADN-ja vërtetoi se bëhej fjalë për Eglant Koçin, ndërkohë që në burg vazhdon të mbahet 25-vjeçari Ena Zyferi, një student infermierie që punonte si kamarier dhe që dyshohet se përkrahu autorin e krimit duke fikur kamerat.
Prokuroria ka pyetur një listë të gjatë dëshmitarësh, mes tyre edhe lavazhierë, të cilëve Shakaj u tha për Porsche-n: “Do vij ta marr, vetëm lajeni mirë”. Të dy punëtorët e lavazhit shpjegojnë për hetuesit se gjatë punës vunë re se “në pjesën e tapetit të automjetit, pas ndenjëses së shoferit, kishte lëng të kuq, në pamje të parë si gjak”.
34-vjeçari Eglant Koçi u zhduk që prej mbrëmjes së 4 qershorit, teksa dyshohet se u mor peng dhe më pas u vra nga Armand Shakaj, 41 vjeç. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, ndërsa në burg ndodhet Enea Zyferi, i cili punonte kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit. Zyferi dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes.
ZËRI publikoi disa ditë më parë edhe foton e ‘Porsche’ që dyshohet të jetë makina Armand Shakaj (Mand Dhelpra), të cilën e ka përdorur për të transportuar dhe më pas për të zhdukur trupin e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Shakaj dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, drejt zonës së Ibës.
Po ashtu, ZËRI publikoi më 6 qershor pamjet ku Eglant Koçi u pa për herë të fundit në zonën e “Sheshit ëilson”, teksa parkonte motorin pranë ambienteve të lokalit të Shakajt. Hetimet treguan se për të humbur gjurmët, autori ka zhvendosur motorin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Motori u gjet në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit të dyshuar, Armand Shakaj.



