SHKODËR- 31 familje, banorë të godinës së ish-Shkollës së Rezervave në Shkodër, që ishin në prej vitesh proces gjyqësore me familjen Shkëmbi, kanë folur pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit. Lidhur me konfliktin për pronësinë, për të cilën Gjon Shkëmbi pretendon se është pronari, familjarët janë shprehur për mediat se ai ka bërë falsifikime e manipulime. Sipas tyre, familja Shkëmbinuk ka asnjë dokument pronësor mbi këtë ndërtesë.
Një prej familjarëve flet i përlotur duke thënë se ishin ndjerë të kërcënuar nga Shkëmbi. Ai më tej bën me dije se autori i ka kërcënuar me vrasje, ndërsa shpreh keqardhjen për vrasjen e gjyqtarit Kalaja.
“Për këto kërcënime ka 12 muaj që ka folur në gjyq dhe ka thënë se do t’i mbys të gjithë. Ne personalisht, banorët kemi bërë denoncim në polici, ata nuk kanë marrë masa për ne. I kemi letrat që të gjithë me radhë kemi bërë denoncim se ka thënë Gjon Shkambi se do t’u minoj të gjithë. Ndihemi shumë të rënduar dhe një keqardhje të madhe që ka vdekur ditën e sotme, ka vdekur për ne, për burrni të vetën në radhë të parë e për ne. Ditën që do të bëhet varrimi do të shkojmë të gjithë si pallat,” përlotet banori.
Një tjetër banorë fajëson për situatën e krijuar, ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka, për të cilin thotë se kishte lëshuar dokument privatizimi për objektin pa vendim të këshillit bashkiak. Madje, ai rrëfen një epidot nga viti i kaluar, ku Gjoni ka shkuar i armatosur, ndërsa për këtë fajësojnë policinë e shtetit që nuk ka vepruar edhe pse sipas tyre, ishte informuar.
“Ngushëllime familjes, na ka ardhur shumë keq. Këto punë i ka bërë Lorenc Luka se i ka lëshuar vërtetim që jemi dakord të privatizohet pa vendim të këshillit të bashkisë. E ka vrarë Lorenc Luka, nuk e ka vrarë shteti, as Shkambi, e ka vrarë Lorenc Luka. Kemi bërë një gjyq, e kemi fituar, e ka kthyer Gjykata e Apelit. Ka ardhur Apeli i Vlorës e kanë gjykuar në Shkodër, jo Apeli i Shkodrës, edhe ja kanë kthyer detyrat për falsifikim dokumentesh se nuk kishte pronë dhe nuk kishte vendimin e Këshillit të Bashkisë. Kur zhvillohej gjyqi në Shkallë të Parë, e pa se po humbiste gjyqin edhe pushoi çështjen. Tani Gjon Shkambi ka ardhur vjet këtu i armatosur, ka ardhur policia, i kemi thënë e ka armën në makinë, edhe nuk e ka ‘çarë kokën’ policia të shkojë të arrestojë. Fajin e ka shteti. Nuk kanë kurrëfarë prone se e kemi marrë tokën nga Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, që Gjon Shkambi nuk ka pronë në Shkodër. Edhe është në vendim të gjykatës atje. I kanë humbur të gjitha gjyqet se nuk kanë dokumente, vetëm kanë bërë falsifikime e manipulime. Se po të kishte dokument, do ta gëzonte”, shprehet banori.
Edhe një qytetar tjetër, banor në këtë godinë, shprehet Bashkia e Shkodrës ia kishte shitur objektin Gjon Shkëmbit, pasi i kishte strehuar 31 familjet. Qytetari thotë se kanë qëndruar në tension prej 33 vitesh, dhe për këtë fajëson shtetin. Pasi në të njëjtën kohë kanë strehuar familjarët, dhe nga ana tjetër ia kanë shitur edhe Gjon Shkëmbit.
“Edhe kemi qëndruar, ka ardhur Gjon Shkambi në 2012: është ndërtesa ime, është shtëpia ime. Na ka futur nëpër gjyqe. Kemi investuar sa kemi mundur në të, kemi harxhuar para. Tani e prej kohësh na ka bërë presion është shtëpia ime, duan shtëpinë. Kemi qëndruar në tension prej 33 vitesh, fajin na e ka shteti. Bashkia që na e ka dhënë neve ka shkuar dhe ia ka shitur dhe atij. Asnjë nuk na e ka fajin vetëm bashkia. Neve na ka strehuar në të atij pastaj ia ka shitur. Të gjitha fajet i ka shteti, më zi nuk ka ku të shkojë, se për gjithë këto shtëpia nuk është dashur të vritet gjyqtari. Më parë kishim dalë në rrugë të madhe se sa të vrasësh gjyqtarin. Më mirë të na vriste ne sesa të vriste gjyqtarin pa faj. Shteti na e ka dhënë neve, shteti ia ka dhënë atij, të gjitha fajet i ka shteti", shprehet një tjetër qytetar.
Në vitin 1992, 31 familjet familje me vendim të Bashkisë së Shkodrës u vendosën në godinën e ish-Shkollës së Rezervave të ndërtimit. Banorët pretendojnë se prona është ende shtetërore dhe se dokumentet e Gjon Shkëmbit janë të falsifikuara, nga ana tjetër, familja Shkëmbi kërkon të nxirren jashtë 31 familjet. Konflikti për pronën mes 31 familjeve dhe familjes Shkëmbi ka vijuar prej disa vitesh në dyert e drejtësisë, ndërsa sot u vendos me një vendim 'fatal'.
Çfarë ndodhi në dyert e Gjykatës së Apelit në Tiranë, këtë të hënë?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e sotme gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Dyshohet se autori tashmë i identifikuar, Elvis Shkëmbi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkëmbi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks.
Por ajo ç'ka e bën më tronditëse dhe të çudishme këtë ngjarje, është fakti se si një person i armatosur është futur brenda institucionit të drejtësisë. Si mund ta ketë shmangur autori kontrollin e sigurisë, me armën në xhep, dhe të jetë futur krejt lehtësisht brenda sallës së gjyqit?!
Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital./ZËRI



