GREQI- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi që ndodhi ditën e djeshme në burgun e Koridhalos në Greqi, ku mbeti i vrarë një personazh i njohur i botës së krimit, Jani Aliaj. Ky i fundit ishte arrestuar vitin e kaluar në Greqi, ndërsa autoritetet shqiptare kërkonin ekstradimin e tij, për vrasjen e Elton Çiços, ndodhur në vitin 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Sipas hetimeve të autoriteteve greke, vrasja është kryer kundrejt pagesës, dhe është porositur nga një tjetër shqiptar, i paidentifikuar, i cili dyshohet se ka pasur konflikte me Aliajn për pazaret e drogës.
Aliaj kishte dalë me leje nga burgu i Koridhalosit, tre javë më parë dhe qe rikthyer, ndërsa ishte në pritje të vendimit për ekstradim. Vrasja e tij në burg, u tentua edhe muaj më parë, por asokohe ishte pa rezultat.
49-vjeçari nga Tepelena u godit tri herë me një mjet prerës të improvizuar si thikë. Autori, një 28-vjeçar grek e qëlloi dy herë në gjoks dhe një herë në qafë. Ai është prej 5 muajsh në burg, për vrasjen e një shqiptari.
Prej janarit 2025, Jani Aliaj qëndronte në burgun grek të Koridhalosit, në proces për t’u ekstraduar drejt Shqipërisë për vrasjen e Elton Çiços, ekstradim ende i pamiratuar nga Greqia. Më 1 janar 2025 ishte arrestuar në Athinë, pas 9 vitesh në arrati. U kap me look të ndryshuar, me flokë të mbjellë, për t’iu fshehur drejtësisë.
Në vitin 2016, shkak për vrasjen e Çiços dyshohet se ka qenë hasmëria mes rivalëve, e nisur në Greqi, kur të dy ishin në burg: Aliaj për vrasje e Çiço për trafik droge.
Çiço e kishte plagosur Jani Aliajn, në vendin fqinj e në Gjirokastër. Konflikti vijoi deri në vitin 2016, kur Aliaj vrau Elton Çiçon brenda një lokali në zonën e ish-Bllokut.
Kush është Jani Aliaj
Aliaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi më 1 maj në vitin 2016, vrau Elton Çiçon në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Përplasjet nisën pasi në vitin 2000, ai vrau me thikë E. Ballazhiun, i cili ishte shok fëmijërie me Çiçon. Pas kësaj, Çiço kërkoi të gjente vrasësin e shokut, pasi mësoi se u vra nga 47-vjeçari, ai i dërgoi një mesazh në burg se do të merrte hak për vrasjen e Ballazhiut.
Në vitin 2015 në Tepelenë, u raportua grabitja dhe dhunimi i prindërve të Eltin Çiços, ngjarje e cila lidhej direkt me rivalët e tij kriminalë. Ngjarja nuk konsiderohej e rastësishme, përkundrazi, ishte një mesazh për Çiçon, për të vijua sagën e hakmarrjes mesa bandave. I dyshuar si i përfshirë në këtë ngjarje është Erigels Mihasi, bashkëpunëtor i ngushtë i Ervis Martinaj.
Asokohe, Aliaj ishte 23 vjeç dhe po mbahej në paraburgim në Greqi. Po ashtu edhe Elton Çiço arrestohet nga policia greke dhe kryen 3 vite burg në Koridhalos. Por, ata si për ironi të fatit ishin në të njëjtin burg, Alia i dënuar me 18 vite për vrasje, ndërsa Çiço me 5 vite për trafikim droge. Por pasi dalin nga burgu fillojnë përplasjet mes tyre. Më 2016, Eltoni tenton të vrasë Janin më 10 janar në rrugën e “Kavajës” në Tiranë.
Por, nga ky atentat mbetet i plagosur vetëm një kalimtar i rastit. Por, Ciço nuk u ndal me kaq, ai tenton sërish të vrasë Alian kësaj radhe në Gjirokastër, ku ky i fundit u plagos lehtë në dorë. Pas kësaj, Aliaj në bashkëpunim me Renato Milloshin ekzekutojnë me dy plumba, Çiçon teksa ai ndodhej në një lokal. Pas kësaj, miqtë e viktimës, mes tyre Andi Mustafaraj kërkuan hakmarrje. Por e njëjta skemë u ndoq edhe ndaj Mustafaraj, por atentati ndaj tij dështoi dhe ai mbeti i plagosur. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-Ekspozitës në Tiranë. Por, përplasjet nuk u ndalën këtu, më 21 gusht të 2016, vritet me armë zjarri Nelgert Pata, i cili ishte mik dhe bashkëpunëtor me Jani Aliajn./ZËRI




