KORÇË- Nëna e vajzës 14-vjeçare që u vetëhodh nga kati i tretë i një pallati në Korçë është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Sonila Dhëmbi akuzohet se i ka shkaktuar të miturës probleme psikologjike. Mbi të rëndon akuza “Fyerje dhe dëmtime të tjera me dashje”.
Por çfarë dëshmoi ajo?
Nëna e vajzës ka dëshmuar se 14-vjeçarja është dhunuar dhe bullizuar shumë herë nga fëmijët e lagjes. Ajo është shprehur se tashmë është kryefamiljare, pasi burri ndodhet në burg për dhunë në familje. Po ashtu, nëna e adoleshentes ka thënë se edhe vajza e dytë është dhunuar dhe bullizuar nga bashkëmoshatarët në lagjen nr. 14, aty ku kjo familje jeton prej vitesh.
“Burrin e kam në burg për dhunë në familje. Kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh, e ka goditur çupën një vajzë në kurriz. I thashë asaj që ma goditi: ‘Mos i bezdisni vajzat e mia’. Sot prapë i vajti çupës sime për ta goditur. Më goditi edhe mua në stomak dhe më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin: ‘Mamin ta morën në polici, jeni fshatarë’. Merrni masa, se nuk më lënë rehat”, u shpreh ajo.
Ende nuk ka një dëshmi nga adoleshentja për ngjarjen, pasi ajo ndodhet ende në spital, jashtë rrezikut për jetën, ku po merr shërbimin e nevojshëm mjekësor dhe psikologjik./ZËRI
