Aktualitet

2024-ta nis e 'përgjakshme', vrasjet dhe atentatet që tronditën vendin

Katër vrasje të ndodhura në një hark kohor prej 9 ditësh kanë tronditur vendin dhe sigurinë, ndërsa kanë shënuar dhe një bilanc tragjik me 5 viktima.

Edon Kuqi
2024-ta nis e 'përgjakshme', vrasjet dhe atentatet që
Viktimat dhe autorët

TIRANË- Viti 2024, do të niste i “përgjakshëm”. Katër vrasje të ndodhura në një hark kohor prej 9 ditësh kanë tronditur vendin dhe sigurinë, ndërsa kanë shënuar dhe një bilanc tragjik me 5 viktima.

Vëllai vret vëllain në Tiranë

Mëngjesin e 4 janarit kryeqyteti do të tronditej nga një vrasje e dyfishtë brenda familjes, ku vëllai vrau vëllanë në zonën e Freskut, e më pas me të njëjtën armë u vetëvra. Ishte ora 08:00 e mëngjesit kur Vehap Cami, 63 vjeç me origjinë nga Bulqiza shkoi në shtëpinë e të vëllait Lulzim Cami, me synimin e qartë për ta vrarë. Pasi nusja e e djalit të Lulzim Camit i solli kafenë, në prani dhe të familjarëve të tjerë, autori nxorri pistoletën dhe qëlloi drejt të vëllait. Më pas e drejtoi armën nga vetja, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ishin britmat e grave të familjes, ato që do të zgjonin të tronditiur fqinjët. Pronarja e banesës në një prononcim për mediat pas ngjarjes, e përshkruante Lulzim Camin si njeri të qetë, korrekt me qiranë dhe jo problematik. Pas ngjarjes, Policia mbërriti në shtëpinë e 68-vjeçarit dhe ngriti grup hetimor për zbardhjen e shkaqeve.

Shkak për sherrin mes vëllezërve dyshohen të jenë bërë pronat në Bulqizë. Ndërkohë burimet për ZËRIN bënë me dije pas ngjarjes, se vëllezërit fillimisht kanë jetuar së bashku në zonën e “5 Majit”, por pas prishjes së banesës së tyre, ata janë detyruar që të marrin shtëpi me qira në zona të ndryshme. Megjithatë konflikti i vjetër mes tyre, për prona që kanë pasur në vendlindje, në zonën e Bulqizës, vetëm sa është ndezur me kalimin e viteve. Pavarësisht rrethanave të ngjarjes, familjarët vendosën që trupat e dy vëllezërve të përcilleshin për në banesën e fundit bashkë. Trupat e tyre do të prehen në varrezat e Tufinës.

Vetëvrasja e Bedrie Lokës

5 janar 2024. Bedrie Loka 41 vjeçe, vetëhemohet duke pirë fotoksinë. Ajo u gjet nga familjarët e shtrirë në mes të sallonit, ndërsa fillimisht u dërgua në spitalin e Durrësit, ku dhe iu dha ndihma e parë. Pas gjendjes së rënduar ajo u nis drejt Tiranës, ku pavarësisht ndihmës, nuk arriti të mbijetonte. Fillimisht vdekja e saj u raportua si vetëvrasje për shkak të bullizimit në rrjetet sociale.  Por, e vërteta ishte krejt ndryshe.

Lajmin se ajo i dha fund jetës për shkak të bullizimit, e dha për herë të parë bashkëshorti i saj, Xhemal Loka, i cili deklaronte se të shoqes i kishin hapur një adresë në rrjetin social “Tik Tok”, ku e ofendonin dhe i postonin foto nga më të ndryshmet, me qëllim denigrimin e saj. Llogaria në këtë rrjet dyshohej se ishte hapur nga kunata e saj, më pas u aludua nga shoqet e punës, ku ajo punonte në një fasoneri, por pas vetëvrasjes së saj fshihej një histori e gjatë dhune nga bashkëshorti i saj, Xhemal Loka.

Ishin dëshmitë e fëmijëve dhënë në Policinë e Durrësit, ato që hodhën dritë mbi ngjarjen e rëndë, që ende mban të shokuar opinionin publik nga faktet, që dalin çdo ditë në dritë. Dyshohet se Xhemal Loka e dhunonte sistematikisht të shoqen, ai ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike mbi të ndjerën, duke e shtyrë kështu drejt vetëvrasjes, akuzë për të cilën është sot pas hekurave, por që hetimet vazhdojnë dhe ndaj tij nuk ka ende një vendim përfundimtar.

ZËRI siguroi dhe një video në ambientet e shtëpisë së Xhemal dhe Bedrie Lokës, ku kjo e fundit dhunohej nga bashkëshorti. Pamjet ishin filmuar nga fëmija më i vogël i familjes, i cili ashtu si dhe vëllezërit e motrat e tij, kishte qenë dëshmitar i dhunës në disa raste. Dyshohet se Bedria kishte konstatuar tradhtinë e Xhemal Lokës me një grua franceze. Ajo i kishte gjetur dhe disa letra në gjuhën franceze. Ndërkohë që në telefonin e autorit dyshohet se ka video dhe mesazhe që konfirmojnë dhunën ndaj Bederie Lokës. “Do të të bëj të vrasësh veten”, i thoshte Xhemal Loka të shoqes dhe fatkeqësisht…ia doli.

Ekzekutimi me snajper i Gëzim Sinomatit në Vlorë

7 janar 2024. Gëzim Sinomati, 22 vjeç ekzekutohet me plumb në kokë me snajper në ballkonin e banesës së tij në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. I riu kishte dalë të pinte një cigare, por pa e ditur se do të ishte e fundit për të. Autorët po prisnin momentin e duhur. Dyshohet se një prej tyre ka pasur rolin e ekzekutorit, i cili me një shënjestër të “frikshme”, arriti që të eleminonte Gëzim Sinomatin.

Ngjarja ishte parashikuar saktë. Në momentin që ndodhi vrasja, në zonën ku banonte i riu, nuk kishte drita, duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin e autorëve të ngjarjes, të cilët nën errësirën e natës, u zhduken dhe më pas, ashtu si dhe në ngjarje të tjera kriminale, dogjën mjetin e përdorur në krim dhe u zhdukën. Dy ditë pas ngjarjes, Policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve të dyshuar, ndërsa i riu është përcjellë këtë të martë në banesën e fundit.

Gëzim Sinomati, nuk kishte precedentë të mëparshëm penal, ndiqte studimet dhe jetonte me nënën e divorcuar. Vrasja e tij, dyshohet të ketë ardhur për shkak të mbiemrit që mban. Ai është djali i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të ish-bandës së Gaxhait në Vlorë, i cili njihej dhe me nofkën “buzëderri”. Sokol Sinomati, u lirua për pak orë nga burgu i Peqinit për t'i dhënë lamtumirën e fundit të birit. Lirimi i tij u shoqërua me masa të rrepta sigurie, me qindra efektivë që e ruanin dhe kishin bllokuar rrugët.

Vrasja e shqiptares Georgia Murati në Greqi nga partneri

8 janar 2024, gjendet e vrarë Georgia Murati, 41-vjeçarja me origjinë shqiptare ishte vrarë nga partneri i saj. Dyshohet se ajo është vrarë natën e Vitit të Ri. Në momentin që u vra në mënyrë makabre me thikë ajo ishte shtatzënë me autorin. Ai e ka goditur disa herë me thikë. Partneri i saj në bashkëpunim dhe me një shok të tij, i zunë pritë Muratit dhe e vranë. Ajo ishte nënë e një vajze 13-vjeçare që kishte nga martesa e parë.

Ajo që e bën edhe më makabre ngjarjen, është fakti se pasi e vranë, partneri i saj dhe bashkëpunëtori i tij e futën trupin e Georgia Muratit në një baule dhe më pas e çuan në një zonë me shkurre në Halkidiki. Kur janë kthyer në vendin e krimit janë përpjekur të asgjësojnë gjurmët dhe provat e krimit, duke pastruar banesën dhe duke hedhur provat e krimit, si rrobat dhe sendet personale të viktimës, mjetet e ekzekutimit dhe dyshekun e krevatit. Partneri i saj në fillim u mundua të fshehë ngjarjen. Ai kishte deklaruar se gruaja i kishte dërguar një mesazh ku i thoshte se kishte shkuar nga shtëpia e mamasë së saj, ndërsa kishte marrë me vete edhe një shumë prej 5000 eurosh. Por krimi u zbulua…pavarësisht se asgjë nuk e kthen më në jetë Georgian./ZËRI

Poll

MOS HUMB