
GREQI-Gjykata e Apelit në Kretë ka dënuar me 11 vjet e 3 muaj burg një 48-vjeçar, baba i katër fëmijëve, pasi u shpall fajtor për vjedhje, përdhunim, dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe hyrje të paligjshme në Greqi. Protothema raporton se shqiptari mohoi të gjitha akuzat përveç vjedhjes, por nuk arriti të bindte gjykatën. Ajo konfirmoi vendimin e shkallës së parë, duke urdhëruar kthimin e tij në burgun e Grevenës, ku mbahej që nga arrestimi i tij në 2021.
Ngjarja ndodhi më 17 gusht 2021, kur një çift turistësh irlandezë, duke notuar natën në plazhin e Platanias, u grabitën. Nga çanta çiftit i kishin vjedhur një iPhone, një portofol dhe një orë me vlerë 500 euro. Pasi përdorën një aplikacion të gjurmimit të iPhone-it, ata e identifikuan shqiptarin së bashku me një bashkëpunëtor, të cilit iu gjetën sendet e vjedhura.
Hetimet e policisë zbuluan se 48-vjeçari kishte marrë pjesë edhe në përdhunimin në grup të një turisteje suedeze më 11 gusht 2021, po në të njëjtin plazh. Gjatë gjyqit, i cili zgjati rreth 4 orë, u dëgjuan deklaratat e dëshmitarëve dhe dëshmitë e dy policëve./ZËRI