FUSHË-KRUJË-Miklovan Parubi, i dënuar me burgim të përjetshëm, Miklovan Parubi, u transferua mbrëmjen e djeshme nga Burgu i Peqinit drejt atij të Burrelit. Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në burgun e Burrelit, në sendet personale të Miklovan Parubit u gjet e fshehur në çorape një sasi lëndë narkotike.
Në njoftimin zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informohet vetëm lidhur me transferimin e tij, ndërsa edne nuk dihet shkaku i lëvizjes së të dënuarit me burg përjetë si autor i një vrasje të dyfishtë të ndodhur në tetor të 2016 në Dajç.
Në vitin 2016, një lojë pokeri mes shokësh në zonën e Dajçit degjeneroi në një masakër me armë zjarri. Ngjarja e rëndë e vrasjes së Arjet Saitit dhe Gacalin Kopshti ka ndodhur në 3 tetor 2016 ku rreth orës 22:40 në një bar-kafe të quajtur “Shqiponja” në fshatin Dajç të Shkodrës u raportuan të shtëna me armë zjarri.
Si pasojë e sulmit humbën jetën Arjet Saiti, 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç, ndërsa mbetën të plagosur Aleks Prendi, Ndok Marku, Vinçens Kopshti dhe Kitas Molla. Sipas hetimeve të kohës, Miklovan Parubi u largua nga lokali pas një debati gjatë lojës së pokerit, për t’u rikthyer më pas i armatosur me armë automatike dhe duke qëlluar me breshëri drejt tavolinës ku ndodheshin personat me të cilët ishte konfliktuar./ZËRI
