
SHKODËR-Behar Bajri ka lënë qelinë e burgut dhe është transportuar në ambjetet e spitalit të këtij institucioni. Burime për Oranews bëjnë me dije se prej disa ditësh Bajri po merr mjekim pasi ka shfaqur shenja të komplikacionit shëndetësor. Deri në rekuperimin e tij ai do të qëndrojë në spital duke u vëzhguar nga mjekët por edhe gardianë të burgut.
Behar Bajri u arrestua më datë 4 shtator 2023 në një lokal në Strasburg të Francës, pasi ishte shpallur në kërkim në korrik 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Ai u ekstradua nga Franca, më 16 nëntor 2023, nën masa të rrepta të sigurisë. Ndaj tij rëndojnë 7 akuza, ku ndër më të rëndat janë vrasja dhe grupi i strukturuar kriminal.
Hetimet për zbërthimin e bisedave në aplikacionin Sky Ecc nisën pas informacioneve nga autoritetet holandeze, belge dhe franceze. Në bisedat e përgjuara, biznesmeni Pëllumb Gjoka, po ashtu i vënë në pranga në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, i ka kërkuar Bajrit që të vriste për 120 mijë euro Klenthi Musabelliun, ish-punonjës në policinë e burgjeve./ZËRI