Aktualitet

Donika Gërvalla kundër Ramës: Kosova nuk ka nevojë për Konferenca Paqeje

Ministrja e Jashtme e Kosovës deklaroi se Prishtina mbetet konstruktive në raport me dialogun, por se kërkon ndëshkim të palës agresive për ngjarjen e 24 shtatorit

D.XH

Donika Gërvalla kundër Ramës: Kosova nuk ka nevojë për

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla

TIRANË - Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një deklaratë për mediat, gjatë qëndrimit të saj në Ministerialin e Procesit të Berlinit në Tiranë, foli për ngjarjen dramatike të 24 shtatorit në Kosovë, ku në Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës u qëllua nga një grup i armatosur serbësh.  

Gërvalla kritikoi deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke u shprehur se kreu i qeverisë shqiptare duhet të bëjë deklarata, pasi ka komunikuar me Prishtinën. Sipas saj, propozimi i Ramës për Kosovën nuk ze vend, sepse në këtë rast nuk ka nevojë për Konferenca Paqeje, për shkak se Kosova nuk është objekt, por subjekt, sepse është shtet e si i tillë, përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare. 

Gërvalla theksoi se në sytë e Prishtinës, besimi tek ndërmjetësuesi aktual i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka humbur, sepse dukshëm ai është treguar i njëanshëm.

Donika Gërvalla: Ne nuk kemi aktorë politikë të huaj të preferuar ose jo. Besimi ka humbur në ndërmjetësuesin e tanishëm, sepse procesi është i njëanshëm. Nuk jemi ne ata që mund t’i kërkojmë BE-së se anën e kujt të mbajë. Ne duam që procesi të jetë i drejtë. Ne nuk kemi nevojë për Konference Paqeje, sepse Kosova nuk është objekt, por është subjekt. Bëj thirrje që të mos bëhen deklarata të pamatura nga kushdo aktor politik. Duhet të informohemi ne si palë dhe të ketë një koordinim, përpara se të bëhen deklarime.

Me këtë situatë që është krijuar pas 24 shtatorit, gjërat s’mund të vazhdojnë siç ishin. Nuk kemi refuzuar që të jemi konstruktivë në këtë proces, por duhet të jepet vlerësimi për atë që ndodhi në Banjskë dhe të merren masa. Masa më e vogël duhet të ishte ngrirja e statusit për vend kandidat në BE për Serbinë.

Gërvalla theksoi se ndërkombëtarët duhet ta sanksionojnë Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në mënyrë që Beogradi të disiplinohet dhe të nxjerrë mësime.

Donika Gërvalla: Procesi i dialogut duhet të jetë dizanjur në atë formë që të premtojë sukses. Është shumë e vështirë të ulemi në një tryezë me Serbinë. Kosova kërkon me ngulm që të vendosen sanksione ndaj Serbisë. Pa sanksikonuar Serbinë, Beogradi nuk do të disiplihohet. Pa sanksionuar Serbinë, shteti serb do jetë agresiv ndaj fqinjëve. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës, e një shteti sovran dhe të pavarur. Republika e Kosovës nuk e diskuton sovranitetin e saj. Ne kërkojmë dhe nga Serbia e shtete të tjera që nuk janë dashamirëse, të njohin Republikën e Kosovës. Kohët e vjetra kanë kaluar, Kosova është shtet i pavarur dhe ky fakt është i kryer.

Në Tiranë po mbahet Ministeriali i Procesit të Berlinit, ku të pranishëm janë ministra të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit dhe 24 delegacione. Në këtë Ministerial u fol edhe për ngjarjet në Kosovë, ku më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë efektivin Afrim Bunjaku. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB