
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me njoftim zyrtar për operacionin e zhvilluar si vijim i “Plumbit të artë”, duke zbardhur kështu katër atentatet që kanë lënë pas gjashtë viktima dhe 14 atentate të dështuara. Sipas SPAK, hetimi ndaj organizatës kriminale që drejtohej nga dy vëllezërit, Franc Çopja dhe Hajdar (Bako) Çopa ka nisur që në vitin 2022, por përplasjet e tyre me rivalët datojnë shumë më herët.
Veprimtaria kriminale e vëllezërve daton rreth viteve 2006-2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë/zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.
Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve.
Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.
Humbja e 50 kg kokainë në Angli
Përplasja e parë ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar, pas humbjes së 50 kilogramëve kokainë nga Endrit Alibej që njihej ndryshe dhe si “Tarzani”. Pasi ky i fundit nuk u përgjigj për 50 kilogramët e kokainës, që në treg mund të kapë vlerën e 500 mijë eurove, nisi përgatitja e atentatit ndaj tij.
Masakra e Bradasheshit
Dhe më 29 dhjetor të vitit 2018, në Bradashesh u qëlluan për vdekje tre persona, mes tyre edhe Endrit Alibej. Përveç 34-vjeçarit, në këtë atentat humbën jetën edhe Arben Dylgjeri, daja i ‘Tarzanit’ dhe shtetasi turk Erdal Duranay. Të tre, sapo ishin kthyer nga Belgjika për të festuar ardhjen e vitit të Ri 2019, por nuk e arritën atë ditë. Vetëm tre ditë para festive të fundvitit, plumbat e kallshnikovit ranë mbi ta dhe në sy të grave e fëmijëve, ndërruan jetë, pa mundur as të shkonin në spital.
Një vit më vonë, po në muajin dhjetor, në vitin 2019, u ekzekutua një tjetër ‘rob’ i ‘Tarzanit’. Këtë herë ishte djali i hallës së Endrit Alibejt, Andi Zylyfi kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Edhe pse pa preçedentë penalë, Zylyfi u vra në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, teksa ndodhej në makinë me Ardit Uruçin, mikun e tij që fatmirësisht i shpëtoi këtij atentati.
Sapo kaluan shtatë muaj, erdhi një tjetër viktimë. Mesnatën e 1 korrikut, Klevi dhe Aldo Baho, vëllezër u qëlluan me breshëri plumbash dhe njëri prej tyre vdiq. Klevi mbeti i vrarë, ndërsa Aldo u plagos rëndë, por sot jeton.
Një ditë pas këtij atentati, RENEA zbarkoi në Elbasan ku dhe pas një karburanti në emër të biznesmenit Ilir Beko gjeti një arsenal me armë të softistikuara. Pjesa më e madhe e armëve ishin moderne dhe që i përkisnin prodhimit francez dhe belg, armë këto që përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO, 7 kallashnikovë dhe një armë gjahu çifte, snajpera modern dhe 5 pistoleta me silenciator o hëngrën kokën edhe dy efektivëve. Specialisti i Krimeve Edvin Gjyli dhe Inspektori i Krimeve të Rënda Eduart Hasani nxorën informacion në media në lidhje me operacionin e zhvilluar. Dhe u pezulluan.
Pikërisht në këtë karburant, ku u gjet dhe depoja e armëve, qëndronin herë pas here edhe anëtarë të këtij grupi kriminal të Çopjave.
Ngjarjet në Peqin, sikur ranë në qetësi, ndoshta mungesa e armatimit, ndoshta fakti që grupi e kishte marrë tashmë çmimin e kokainës së humbur…
Grabitja e Rinasit
Por, më 9 prill të vitit 2019, dora e tyre erdhi do të vinte sërish në skenë. Këtë here ndodhi grabitja në Aeroportin e e Rinasit, ku u morën plot 10 milion euro dhe në përplasje me autoritetet mbeti i vrarë Admir Murataj.
Në këtë grabitje bashkëpunuan Talo Çela dhe Nuredin Dumani, por këto para përçanë dhe miqtë e ngushtë.
Të dy thurën planin e atentatit për të vrarë dy vëllezërit Haxhia, Viktor dhe Besmir, të cilët u ekzekutuan brenda makinës së tyre, shumë pranë biznesit të tyre në Shën Vlash të Durrësit. Në pranga si ekzekutor është vënë Altin Ndoci dhe Klevis Alla dhe ky i fundit zbërtheu të gjithë vrasjen, madje edhe tregoi vendin ku kishin fshehur armët e krimit.
Lidhja me grupin e Çopjave në këtë vrasje, u bë kur edhe vetë Ndoci pranoi gjithçka.
“Vrasja ka ndodhur për paratë e grabitura në Rinas, Talo Çela dhe Nuredin Dumani kanë organizuar gjithçka. Një pjesë e parave të grabitura në Rinas, u ishin lënë vëllezërve Haxhia. Çela shkoi t’ua kërkonte më pas, por ata u justifikuan dhe thanë se ua kishin grabitur në momentin që iu grabit edhe servisi. Më pas i vranë,”– u shpreh Ndoci kur u ‘zbërthye’.
Altin Ndoci, është një personazh i skeduar për vjedhje dhe dyshohet duke u verifikuar tashmë për një tentativë grabitje në Fier, ku një nga autorët mbeti i vrarë nga policia, ndërsa një tjetër i plagosur.
Edhe rrëfimi i Klevis Allës, një prej autorëve që mori pjesë në ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhia dhe në vrasjen e Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdisë hapi dosjet e pazbardhura, për ngjarjet kriminale dhe atentatet e kryera në Elbasan. Në dosje, shkruhen mjaft qartë emrat e bashkëpunëtorëve të Allës dhe Ndocit, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Talo Çelën, por dhe për urdhërat e Çopjave.
Të tjerët ishin thjesht pjesë e skuadrës së qitësave me pagesë dhe vepronin sapo merrnin urdhërin.
Nuk do të vononte shumë dhe skuadra e ‘Tarzanit’, do të lëvizte gurët e tij. Vërtet Endrit Alibej vdiq, por la pas Erion Alibejn, që tashmë është në pranga për organizimin e tre atentateve. Alibejt akuzohet se ka organizuar vrasjen e Emiljano Ramazanit, Regis Runajt dhe Bujar Çelës. Ramazani, i njohur si ‘Rramami’ ishte i përfshirë në ngjarjet kriminale në zonën e Elbasanit e Peqinit për llogari të Sakatit, por dy të tjerët kishin vetëm një mëkat.
Regis Runaj, ishte mik i Ramazanit dhe kishte rënë në gjurmët e autorëve të vrasjes së tij, ndërsa Bujar Çela ishte vëllai i Talo Çelës. Por edhe pse të shkëputur nga bota e krimit, të dy paguan shtrenjtë njohjet me të përfshirët.
Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj ishin miq me njëri-tjetrin. Emiljano Ramazani u ekzekutua në 20 korrik, teksa ishte duke parkuar mjetin e tij. Mbi të u qëllua me 5 plumba që e lanë të vdekur në vend. Në lidhje me ekzekutimin e Ramazanit janë arrestuar 6 persona, por në qeli janë vetëm Albert e Seit Menehasa. Katër të shoqëruarit e tjerë, Kreshnik dhe Ymer Manahasa, Artur Tosku si dhe Bujar Dervishi u liruan pasi ndaj tyre nuk u gjetën prova. 39-vjeçari i njohur si Rramami ishte një person i skeduar edhe më parë nga Policia e Shtetit. Në vitin 2012 gjatë operacionit të koduar “Tabakane 2”, Emiliano Ramazani u arrestua së bashku me 5 të tjerë pasi prokuroria kishte prerë fletë arresti për prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim në formën e shitjes më shumë se një herë. Nuk dihet se si i ka shpëtuar drejtësisë 39-vjeçari pas këtij arrestimi por dihet se edhe në vitin 2017, gjatë operacionit “Porosia e Fundit” Rramani u arrestua për të njëjtën vepër penale. Ramazani kishte njohje me Talo Çelën, personin që është ende në kerkim.
Ndërsa 23-vjeçari Regis Runaj, vinte nga një familje pa lidhje me botën e krimit, kjo pasi i ati ka punuar si shofer në Policinë e Elbasanit, ndërsa e motra punon në Gjykatën e Rrethit. Vrasja e këtij të fundit dyshohet se erdhi pas ekzekutimit të mikut të tij Ramazani, pasi Runaj mund të ketë ‘nuhatur’ gjurmët e autorëve të vërtetë. Më 29 korrik, nëntë ditë pas ekzekutimit të Ramazanit u vra Runaj. Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, përkatësisht 29 dhe 23 vjeç, të dy banues në Elbasan, pasi konsumuan lëndë narkotike me Runajn, e vranë atë me thikë. Halili është bërë edhe bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ka rrëfyer të gjithë zanafillën e ngjarjes. Në pranga në lidhje me këtë ngjarje ka rënë edhe Erjon Shehu, kunat i Xhuliano Hoxhës. Më tej bëhet me dije se Shehu ka qenë në kërkim, pasi është i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Runajt pranë varrezave të qytetit. Halili dhe Hoxha akuzohen gjithashtu se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit. Ata dyshohet se janë personat që kanë informuar ekzekutorët për lëvizjet e Ramazanit, në mënyrë që ‘puna’ e tyre, të bëhej më e lehtë.
Bujar Çela u ekzekutua para një lokali tek rrethrrotullimi i Bradasheshit. 50-vjeçari u qëllua me tre armë njëkohësisht, teksa pinte kafenë e mëngjesit dhe priste të niste punënë si taksist në të zezë.
Vrasja e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, ishte mënyra e Erion Alibejt për të marrë hak për vrasjen e vëllait të tij, Endritit, që ia morën jetën në sy të gruas dhe fëmijëve. Erion Alibej, kishte mësuar se Talo Çela dinte gjithçka rreth ekzekutorëve të Endrit Alibejt, por nuk ia kishte treguar. Kështu, duke vrarë Bujar Çelën, mori hak.
Vrasja e Klevis Kapllanit
SPAK thotë gjithashtu se ka arritur të zbardhë autorët e vrasjes së Kapllanit, duke u mbështetur në komunikimet e aplikacionit "Sky" që kanë përdorur autorët dhe dëshminë e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ky i fundit ka treguar në rrëfimin e tij se në momentin kur është vrarë Kapllani ai ka qenë në komunikim me të në "Sky". Sipas Dumanit, vrasja është kryer nga njerëzit e Manahasës, pasi njëri prej vëllezërve e ka monitoruar Kapllanin në ambientin e lokalit të Nel Godinit në Sinaballaj. Vrasja e Klevis Kapllanit në muajin Shtator 2020 në Rrogozhinë, është kryer në momentin teksa 33-vjeçari po fliste në aplikacionin “SKY” me të kërkuarin e asaj kohe, Nuredin Dumani. Pikërisht në momentin kur është vrarë, Kapllani po shkonte deri në shtëpi, pasi Dumani e kishte urdhëruar t'i mbante një makinë në banesë, makinë të cilën po e çonin në Sinaballaj të Rrogozhinës, Enver Diva dhe Besian Xhixha.
Makina do përdorej për të goditur në atentat Dine Çamin dhe Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.
Por me sa duket, teksa Dumani fliste në “Sky” me mikun e tij Klevis Kapllani për ti mbajtur makinën në oborrin e shtëpisë, nga ana tjetër grupi rival po atë ditë kishte vendosur të vriste Klevis Kapllanin.
Në dëshminë e tij të treguar dy vjet pas kësaj ngjarje të rëndë, Nuredin Dumani ka treguar se:
“…gjatë kohës që Klevis Kapllani ishte te lokali i Nel Godinit dhe unë po komunikoja me të nëpërmjet aplikacionit “Sky” ai i shqetësuar më dërgoi foton e vëllait të Seit Manhasës, të cilin e kishte parë disa herë atë ditë të hynte dhe dilte te rrugica pranë lokalit, madje kishte hyre edhe në lokal…”.
Sipas tij prania e vëllait të Seit Manahasës në terrenin ku ndodhej dhe Klevis Kapllani, tregon se 33-vjeçari ka qenë në ndjekje e sipër deri në momentin e vrasjes në orët e vona të natës, vetëm 200 metra larg banesës së tij në fshatin Sinaballaj. Dumani tregon se lajmin për vrasjen e Klevis Kapllanit e ka marë nga Enver Diva dhe Besian Xhixha, të cilët po shkonin në banesën e viktimës për të lënë makinën që do përdorej në atentat ndaj Dine Çamit dhe Bujar Çelës.
Pastrimi i parave
Në lidhje me pastrimin e parave, nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës, rezulton se kjo organizatë kriminale ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.
Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu, evidentohet se, Franc Çopja, në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.