
KRUJË- Një ngjarje horror ka ndodhur në Krujë, ku një grua 42-vjeçare ka vrarë foshnjën e porsalindur! 42-vjeçarja, e identifikuar si Leta Koçi, në orët e para të mëngjesit ka sjellë në jetë foshnjën në banesën e saj, e më pas duke pretenduar se fetusi ka lindur i vdekur, e ka futur në një qese. Më pas ka dalë nga shtëpia dhe e ka hedhur qesen bashkë me fëmijën në bregun e lumit të Tapizës.
Ende nuk dihet se kush e ka denencuar nënën monstër, por aktualisht ajo është në prangat e Policisë së Shtetit. Hetuesit ndodhen pranë saj dhe po e marrin në pyetje për të mësuar shkakun e kryerjes së krimit. Aktualisht mbi të rëndon vepra penale "vrasja e foshnjes", e cila, sipas Kodit Penal, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Deri më tani, nuk dihet asnjë detaj lidhur me jetën e 42-vjeçares.
NJOFTIMI I POLICISË:
Krujë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaluan shtetasen L. K., 42 vjeçe, banuese në Tapizë, për veprën penale "Vrasja e foshnjes". Kjo shtetase, ditën e sotme, rreth orëve të mëngjesit, dyshohet se pasi ka lindur foshnjen në ambientet e banesës së saj, duke pretenduar se ka lindur e vdekur, e ka futur në një qese dhe më pas e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI