
TIRANË – Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur në SPAK, si çdo të premte, për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, për çështjen e koncesionit të sterilizimit.
Beqaj, në një deklaratë të shkurtër përpara mediave deklaroi se oficeri i Byrosë Kombëtare të Hetimit i ka thënë se të martën e ardhshme do i kthejnë hard diskun e kompjuterit, që ia kanë sekuestruar.
“Dihet se çdo të premte ndodhem këtu. Oficeri i Byrosë Kombëtare të Hetimit më ka konfirmuar se hard diskun e kompjuerit tim, do ta marr të martën”, tha Beqaj.
Në muajin nëntor 2023, pas kërkesës së SPAK, gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Beqajn. Ai akuzohet për shpërdorim detyre.
Hetimet që zgjatën disa vite të SPAK, kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies të njërit prej koncesioneve më të kushtueshme në sektorin e shëndetësisë, me qëllimin e vetëm, shpalljen fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit italian, Umbro Staccini./ZËRI/