
TIRANË- Pas investigimit të ZËRI-t, i cili me zë dhe me figurë solli denoncimet e qytetarëve, të cilët kishin rënë pre e mashtrimit, Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë reaguar këtë të hënë duke lëshuar disa urdhra-arresti, tre prej të cilave të ekzekutuara nga Policia. Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Në pranga kanë përfunduar tre punonjësit e Fondit ’Besa’: Lindita Ndroqi, Linda Peçi, Eros Aliu, ndërsa në kërkim është shpallur Ledion Vrapi. Po ashtu në pranga ka përfunduar edhe noterja Majlinda Demollari. Të gjithë këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar persona të ndryshëm duke i bindur që të hapnin llogari bankare për të tërhequr para që do të vinin nga Gjermania. Pasi personat hapnin llogaritë bankare, secilit i jepeshin 500 mijë lekë të reja si shpërblim. Kjo është e njëjtra skemë mashtrimi i përdorur me banorët e Nishtullës, të cilët treguan për ZËRI-n se ishin zhytur në borxhe dhe kredi pasi ishin bindur për të hapur llogari bankare dhe më pas u jepnin para.
"Nga hetimet ka rezultuar se Ledion Vrapi me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare, shuma parash që variojnë nga 5-7 milionë lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe janë përvetësuar pas tërheqjes nga Ledion Vrapi. Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera,"-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Si funksiononte skema e mashtrimit?
Ledio Vrapi futi në kurth 11 qytetarët dhe i shtyu të hapnin llogari bankare me emrin e tyre dhe të aplikonin për kredi pranë Fondit Besa. Lekët që od të merrnin doi ia kthenin sërish Vrapit, ndërsa ata vetë në këmbim do të merrnin nga 500 mijë lekë të vjetra. Qytetarët, e përdorur në skemën e mashtrimit nuk e dinin se ishin duke marrë kredi.
Ledio Vrapi shkon më tej, pasi merr paratë nga kreditë që ishin regjistruar në emër të qytetarëve të mashtruar, përmes mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.
Për këtë Vrapi ka bashkëpunuar me dy punonjës të Fondit Besda, Eros Aliu dhe Lindita Peçi. Këta dy të fundit kishin rolin e oficerit të kredisë në institucionin financiar në lidhje me personat e mashtruar. Po ashtu "ekipit" të mashtruesve u eshtë bashkuar Lindita Ndroqi.
Roli i noteres
Majlinda Demollari me profesion notere është përfshirë në skemën e mashtrimit pasi ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.
NJOFTIMI I PLOTË:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ekzekutuan masat e sigurisë: - "Arrest në shtëpi", për shtetasen Majlidna Demollari, 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal dhe masa e “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal; - "Arrest në shtëpi", për shtetasen Lindita Ndroqi., 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprën penale "Mashtrimi”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal; - "Arrest në shtëpi", për shtetasen Linda Peçi., 39 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal; - E. A., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal.
Është shpallur në kërkim shtetasi Ledion Vrapi., 34 vjeç, banues në Gjermani, për të cilin është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 dhe 25 i Kodit Penal. Shtetasi Ledion Vrapi, ka mashtruar shtetas të ndryshëm duke ju thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka për ti sjellë nga Gjermani, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai i ka dhënë secilit nga shtetasve nga 50 000 lekë si shpërblim.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ledion Vrapi. me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare, shuma parash që variojnë nga 5-7 milionë lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe janë përvetësuar pas tërheqjes nga Ledion Vrapi. Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.
Në përfundim të këtyre veprimeve, nga ana e punonjësve të institucionit financiar, konkretisht Lindita Ndroqi, (përgjegjëse zyre) Linda Peçi., dhe Eros Aliu., (oficerë kredie), janë mbajtur relacionet dhe vendimet e miratimit të kredive, të bazuara në të dhëna të rreme, të cilat nuk i përkasin palëve në cilësinë e debitorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Çështja e banorëve të Nishtullës:
ZËRI publikoi rrëfimet e banorëve të zonës së Nishtullës të cilët vijojnë ende të vuajnë pasojat e skemës së mashtrimit të të ashtuquajturës “Sudja” e Fondit Besa, Albana Imami. Të gjitha viktimat e kësaj skeme që u nisën të merrnin 300-400 mijë lekë të vjetra për bamirësi përfunduan kreditorë tek Fondi Besa me të paktën 6 milionë lekë të vjetra secili. Por edhe pse vitet kanë kaluar dhe autorët janë ndëshkuar, qytetarët e kësaj zone janë ende debitorë dhe nuk mund të rifinancohen nga asnjë bankë. Kushti për rifinancim është shlyerja e gjithë kredisë bashkë me kamatëvonesave që shkon deri në vlerë 10 apo 12 milionë lekë të vjetra.
ZËRI nuk u ndal me kaq, por shkoi dhe pranë institucionit financiar Fondi BESA. CEO i Fondit BESA, Bajram Muça u shpreh se nuk ka ndërmend të falë dhe të zerojë borxhet e asnjë kredimarrësi që është përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Muça pranon se ka pasur një mashtrim ku janë përfshirë punonjës të këtij institucioni, që siç thotë ai, nuk është i kulluar dhe se ku është paraja mund të ketë abuzime. CEO i Fondit BESA shton se ka qenë vetë ai që e ka denoncuar drejtoresha Imamin, por që deri më tani nuk ka marrë një letër nga gjykata se cilët kanë qenë personat që janë mashtruar. Madje, madje, thekson se është treguar tolerant, duke u ofruar qytetarëve të Nishtullës që të paguajnë shumë më pak se shuma që rezultojnë se kanë aplikuar.
Historia e skemës mashtruese:
Mbi 800 qytetarë ranë pre e skemës mashtruese me kreditë, që u zbuluan nga Policia duke vënë në pranga 7 punonjës të fondacionit BESA në Tiranë, mes tyre dhe drejtoresha e Fondit BESA, Albana Imami që kanë marrë mbi 4 miliardë lekë. Të arrestuarit, vetëm me anë të kartës së identitetit bënin që qytetarë të ndryshëm të aplikonin për kredi për shuma të mëdha, ua aprovonin ato, por qytetarëve u jepnin vetëm shuma të vogla, nga 10 mijë deri në 40 mijë duke i justifikuar si fonde bamirësie apo në disa raste dhe si kredi të vogla për të cilat kishin aplikuar vetë qytetarët. Por, shifra për të cilën ishte aplikuar nuk ishte ajo që qytetarët merrnin në dorë. Qytetarët paraqiteshin në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe u dorëzohej vetëm një pjesë. Pjesa më e madhe e parave përfitohej nga Drejtoresha e Degës, Albana Imami dhe bashkëpunëtorët e saj./ZËRI