
DURRËS-Dy shtetasit e prezantuar si ukrainas, që janë autorë të grabitjes së një pike këmbimi valutor në Shkodër, kanë tentuar të grabisin një tjetër pikë ‘Exchange' pak ditë më parë në qytetin e Durrësit. Por ndryshe nga ngjarja e 9 gushtit 2024 ku dy autorët kanë arritur të largohen nga ‘Exchange' i Shkodrës me një sasi eurosh me vete, duket që në qytetin e Durrësit nuk ia kanë dalë. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Durrësit më 31 korrik dhe u denoncua nga punonjësit dhe pronarët e pikës.
Dy autorët kanë kërkuar gjoja që të këmbejnë para me valutë ose anasjelltas. Synimi i tyre është të futen brenda mjediseve dhe aty pastaj të realizonin vjedhjen. Por duket se tentiva e tyre ka dështuar pasi janë diktuar nga personeli dhe janë larguar pa bërë asgjë. E njëjta gjë nuk ndohi në Shkodër, ku autorët e veshur me kapele u prezantuan si ukrainas, kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme eurosh në një pikë shërbimesh në Shkodër e cila ndër të tjera ofron edhe këmbim parash.
Pasi kanë kërkuar shumë e parave në euro, personi në këtë pikë shërbimesh i ka bërë gati eurot të ndara në dy zarfe duke qëndruar në pritje që dy të huajt t’i sillnin lekët. Përpara se të largoheshin dy shtetasit e prezantuar si ukrainas mësohet se kanë ndërruar zarfet duke marrë ato me euro dhe duke lënë dy zarfe të mbushura, por pa euro brenda.
Autorët mbeten ende të paidentifikuar, por pamjet e kamerave të biznesit janë marrë nga policia dhe zbulimi i tyre mund të jetë çështje kohe. Sipas po këtyre pamjeve dhe pronarit të pikës, kjo tentativë nuk u ka ecur agresorëve, pasi janë diktuar nga personeli dhe janë larguar menjëherë./ZËRI