
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në burg dy ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Gjyqtarja e çështjes, Nertina Kosova, pasi shqyrtoi aktet vendosi të lejë në fuqi masat e caktuara nga Apeli në korrik të këtij viti.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Nertina Kosova, sot më 07.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 58 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 18, datë 03.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personat nën hetim R.M. dhe M.Q, në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimeve nr. 28, datë 28.03.2024 dhe nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personat nën hetim M.Q. dhe R.M”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se kanë krijuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato.
I pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC. Qato dhe Molla u arrestuan pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërsa 5 zyrtarë të tjerë u lanë në masën e arrestit “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata ka vendosur gjithashtu arrest me burg edhe për Taulant Tushën, një tjetër ish-drejtues i rëndësishëm i Bashkisë së kryeqytetit që ndodhet aktualisht në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Të gjithë së bashku, sipas SPAK, gjatë kohës që ushtronin detyrën favorizonin kompanitë e tyre për të përfituar nga tenderat publikë.
SPAK ka vënë në sekuestro edhe kompaninë '5D Konstruksion' si dhe kompaninë 'Restur' dhe asetet të saj, konkretisht 24% të aksioneve në kompaninë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, e cila po ndërton një hotel me vlerë të deklaruar 15 milionë. Administrator i kompamise “5D Konstruksion” figuron Nestor Muhamellari por që sipas SPAK zotërohet nga Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Kompania "5D" u vendosur nën sekuestro nga SPAK, pas arrestimit të zyrtarëve të Bashkisë Tiranë që akuzohen se e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte dhe kanë përfituar 16 tendera prej saj. Paratë nga tenderat e përfituar ishin nxjerrë "pjesërisht" nga sistemi bankar dhe ishte përdorur skema e kryerjes së pagesave për punime fiktike, kur në fakt merreshin "cash" nga pronarët e vërtetë për t'u riinvestuar sërish tek kompania "5D". Një pjesë tjetër e parave të siguruara janë përdorur për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme. /ZËRI