
FIER- Janë riaktivizuar vatrat e zjarrit në Pishë Poro. Mbi 800 hektarë tokë janë djegur deri tani. Njëmbëdhjetë zjarrfikëse janë në terren, në përpjekje për të shuar flakët. Zjarri në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-së ka disa ditë që është aktiv dhe nuk po fiket.
Për shuarjen e flakëve janë aktivizuar mjete zjarfikëse, efektivë të Forcave të Armatosura, forca të ADMZ, forca mbështetëse të bashkisë, bulldorëza dhe ndihmë nga jashtë shtetit. Forcat e ndërhyrjes janë përpjekur që të hyjnë sa më thellë në pyll, që të shuajnë zjarrin.
Autoritetet kanë ngritur alarmin, se vatrat shpesh shkojnë drejt shuarjes, por riaktivizohen, duke u favorizuar edhe nga erërat e forta, duke pasur shtrirje në zonat e drejtimit të erës.
Sipas ekspertëve, deri tani është siguruar mbrojtja e banesave, bizneseve apo njësive ekonomike, pemëtorëve apo ullishteve, në kufi me zonën pyjore, ku është përhapur flaka.
Zjarri nuk po shuhet prej një jave, duke sjellë pasoja të rënda për zonën. Kjo sepse sipërfaqja e gjelbër që po digjet është zonë e mbrojtur, konsiderohet pasuri kombëtare dhe sipërfaqja e përshkruar nga vatrat e zjarrit është e madhe. Jo pak problematike është dhe ndotja e mjedisit, për shkak të tymit që del nga flakët e stërmëdha./Zëri.ai/