
SHKODËR- Një automjet është gjetur i shkrumbuar në një rrugë dytësore në mbrëmjen e djeshme në fshatin Grudë të Shkodrës. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se makina që është djegur ka qenë pa targa, ndërsa i është hequr edhe numri i shasisë.
Në vendin ku u gjet mjeti raportohet se nuk ka pothuajse fare lëvizje, ndërsa në vendngjarje ka shkuar forcat zjarrfikëse të Shkodrës që bënë të mundur shuarjen e flakëve.
Dyshohet se zjarri në automjet ka qenë i qëllimshëm. Sipas hetimeve paraprake, makina është braktisur në zonë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët pasi i kanë vënë flakën me benzinë janë larguar nga vendngjarja.
Policia po heton nëse makina në fjalë mund të jetë përfshirë në ndonjë ngjarje të mundshme kriminale. Vendosja e flakës e bën të vështirë zbulimin e provave në të. /ZËRI