TIRANË- Tenderi i dhënë kundrejt firmës “Salillari” për ndërtimin e burgut të Kuksit u anulua vetëm dy muaj pas shpalljes së fituesit.
Në datën 12 maj 2025, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me në krye Klevis Qosen, shpalli fitues Pëllumb Salillarin në tenderin e majmë për të ndërtuar burgun e Kukësit.
Por, vetëm pas 2 muajsh, e njëjta drejtori ia ka anuluar këtë tender.
ZËRI kontaktoi përmes emailit zyrtar me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për tu dhënë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të ngritura për tenderin me objekt: “projektimi dhe ndërtimi i IEVP Kukës”.
Në përgjigje për ZËRI, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehet se Autoriteti kontraktor para lidhjes së kontratës invetarizoi dokuementacionin e dorëzuar nga operatori ekonomik i shpallur fitues dhe konstatoi një mangësi pjesore në dokumentacionin e paraqitur, i cili nuk ishte konstatuar më parë. Mangësia e konstatuar rezulton në mospërmbushje të një nga kritereve thelbësore të përcaktuara në dokumentetet e tenderit.
Menjëherë, pas verifikimit të këtij dokumentacioni është bërë pezullimi i procedures së prokurimit nëpërmjet Urdhrit të Titullarit të AK-së.
“Autoriteti kontraktor para lidhjes së kontratës invetarizoi dokuementacionin e dorëzuar nga operatori ekonomik i shpallur fitues dhe konstatoi një mangësi pjesore në dokumentacionin e paraqitur, i cili nuk ishte konstatuar më parë. Mangësia e konstatuar rezulton në mospërmbushje të një nga kritereve thelbësore të përcaktuara në dokumentetet e tenderit. Menjëherë, u bë pezullimi i procedures së prokurimit nëpërmjet Urdhrit të Titullarit të AK-së. Në datë 22.05.2025, Autoriteti Kontraktor, me qëllim të një vendimarrje sa më të drejtë dhë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik, por ndërkohë në përputhje dhe me qëllimin dhe misionin e Autoritetit Kontraktor, kërkoi udhëzime dhe rekomandime nga APP si institucioni përgjegjës për këshillim dhe konsulencë, dhe KPP, në cilësinë e institucionit përgjesës lidhur me vendimarrjen dhe ankimimet e procedurave të prokurimit publik,”- thuhet në përgjigjen e DPB për ZËRI.
Në vijim, i njëjti institucion thekson se ka pritur afatet e ankimimit.
“Në zbatim të nenit 62, të nenit 53, të Ligjit Nr. 36/2020 si dhe AK priti afatet e ankimimit, dhe në datë 08.07.2025, e cila përkon me ditën e fundit e përfundimit të këtij afati, pasi ka bërë verifikimet përkatëse në database-n zyrtar të Komisionit të Prokurimit Publik dhe zyrën e Protokollit të AK-së, dhe rezultoi që nuk është depozituar asnjë ankesë,”- thuhet më tej në përgjigje.
Megjithatë, Drejtoria e Përegjithshme e Burgjeve nuk shpjegon në detaj se çfarë mangësie ka pasur kompania “Salillari”, por vë theksin tek fakti që nuk ka pasur shkelje ligjore.
“Theksojmë se i gjithë dokumentacioni i paraqitur nga shoqëria “Salillari” shpk, për këtë procedurë prokurimi, është i rregullt në formë dhe përmbatje (origjinal apo kopje e noterizuar), pa asnjë shkelje ligjore,”- vijon përgjigjia./ZËRI/
