Aktualitet

Vetëm 1 muaj e gjysmë në burg, lirohet "Fantazma", Ibrahim Lici!

Pavarësisht veprave penale të kryera në Turqi dhe veprave të rënda penale për të cilat dyshohet në Shqipëri, për të cilat autoritetet shqiptare kanë përcjellë drejt Turqisë një dosje voluminoze me qëllim ekstradimin e tij drejt vendin tonë, ai sërish është lënë i lirë.

f.t
Vetëm 1 muaj e gjysmë në burg, lirohet "Fantazma",
Ibrahim Lici

TURQI- Ibrahim Lici është lënë i lirë nga autoritetet turke pas gati 1 muaj e gjysmë qëndrimi në qeli. Një ditë më parë u njoftua se Lici ka pajtuar një prej avokatëve më të mirë në Turqi për ndryshimin e masës së sigurisë. 

Ai u arrestua më 13 shkurt në një lagje të Stambollit pas shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj turke. Në momentin e arrestimit Licit iu sekuestrua edhe një armë zjarri si edhe dokumente të falsifikuara belge. Por, pavarësisht këtyre dy veprave penale të kryera në Turqi dhe veprave të rënda penale për të cilat dyshohet në Shqipëri, për të cilat autoritetet shqiptare kanë përcjellë drejt Turqisë një dosje voluminoze me qëllim ekstradimin e tij drejt vendin tonë, ai sërish është lënë i lirë.

Gjykata turke ka vendosur lirimin nga qelia të Ibrahim Licit dhe masën shtrënguese ndaj tij për të mos dalë nga territori turk deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. Ndërkohë nga ana tjetër pala shqiptare kishte nisur procedurat e ekstradimit. 

Ibrahimin Lici ishte shpallur në kërkim nga Shqipëria për vrasjen e Endri Mustafës. Gjatë qëndrimit të tij në qeli në Turqi, babai i tij Mustafa Lici deklaroi se djali i tij Ibrahimi ka qenë në Tiranë ditën që është vrarë Endri Mustafa. Lici ka dorëzuar në SPAK pamje të cilat sipas tij vërtetojnë vendodhjen e Ibrahimit ditën e krimit. Sipas Mustafa Licit dosja u montua nga drejtori i policisë së Shkodrës që ishte atëkohë dhe oficeri Ardit Hasanbega që u arrestua në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’, ku ndër të tjera grupi kundërshtar Bajri po planifikonte vrasjen e Ibrahim Licit.

Arrestimi i Ibrahim Licit

Lici ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, prej muajit maj të vitit të 2021, por prej kohësh raportohej se ai ndodhej në Turqi, bashkë me të vëllanë tjetër, Muhamedin. Madje të dyve u doli në media një foto nga ura e Bosforit. Por Policia turke, ra në gjurmët e tij duke ndjekur një person të besuar që ishte nisur nga Shqipëria ta takonte. Në momentin e arrestimit, Lici ishte në banesën e një miku të tij në Stamboll. Atje u gjetën dokumenta belge dhe një armë zjarri me 50 fishekë.

Menjëherë pas publikimit të lajmit të arrestimit të tij, i vëllai Hamza Lici reagoi për mediat duke u shprehur se i riu nga Shkodra nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar. Po ashtu, theksoi se tashmë Ibrahim Lici kërkon statusin e azilantit, me pretendimin se i rrezikohet jeta në Shqipëri./ZËRI

Poll

MOS HUMB