
TIRANË- Një situatë e paprecedentë ka ndodhur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku gardistët kanë shtyrë gazetarin Ardit Hoxha, në mënyrë që të mos hynte në sallën e mbledhjeve. Gardisti ka shtyrë me forcë gazetarin, edhe pse prania e mediave nuk është e ndaluar në mbledhje.
Incidenti me gazetarin ndodhi teksa gardistët tentuan që të mos lejonin deputetët e Rithemelimit që të hynin në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Mbledhja ishte caktuar për të nisur në orën 12.00, por salla është bllokuar nga deputetët e opozitës.
Fillimisht, ata hasën në rezistencën e punonjësve të Gardës së Republikës, por më pas janë lejuar që të futen në sallë, duke bllokuar dëgjesën me Shoqërinë Civile. Pas tensioneve, Oerd Bylykbashi kërkoi rregulla të barabarta për t'u futur në zgjedhje, duke akuzuar edhe njëherë kryeministrin Edi Rama se kishte bërë pazar me Lulzim Bashën.
Ndërsa bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri akuzoi dy PD-të se nuk donin që ta dërgonin para Reformën, pasi edhe sot, grupi i Bashës, nuk ishte i pranishëm në sallë. Në fund të prononcimit të tij për gazetarët, lajmëroi se Komisioni do të vazhdonte punimet, por edhe sot online. /ZËRI