Aktualitet

Vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’, dështojnë kërkimet për autorin. 12 të shoqëruar, përfshirë prindërit e Mernicës

Policia ka dyshime se autori fshihet në zonën e Apollonisë

E.K
Vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’, dështojnë
Novruz Cenalia dhe Asllan Mernica

FIER- Pavarësisht kontrolleve të shumta dhe postoblloqeve të ngritura në hyrje dhe dalje të Fierit, Policia nuk ka mundur që të arrestojë ende autorin e vrasjes së efektivit të forcave Shqiponja, Novruz Cenalia. Autori 23-vjeçar, Asllan Mernica, dyshohet se pasi ka braktisur makinën, është largua me këmbë nëpër arat e fshatrave të zonës, dhe është fshehur në zonën e Apollonisë.

Por pavarësisht kontrolleve që kanë vazhduar dhe gjatë natës, policia nuk ka ende asnjë gjurmë nga 23-vjeçari. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se deri tani në Policinë e Fierit janë shoqëruar 12 persona, përfshirë dhe prindërit e autorit, të cilëve iu është kërkuar që të negociojnë për dorëzimin e të riut.

Pavarësisht se policia ofroi gjatë ditës së djeshme një shumë prej 30 mijë eurosh, për informacione të vlefshme në lidhje me vendndodhjen e Mernicës, deri tani asnjë e dhënë nuk ka mbërritur n a qytetarët në komisariatin e policisë.

Dyshimet për shkakun e vrasjes

Policia e Fierit fillimisht ka dyshuar që ngjarja e rëndë të ketë shkaqe të mbartura nga familja Cenalia, e ardhur nga Kruma e Hasit në Fier. Duke njohur efektivin që u gjend i pajetë në rrugën e ‘sherrit’, kanë kuptuar se punonjësi i policisë nuk ishte djalë me probleme, ata kanë nisur kërkimin e një pistë për të mësuar se cili ishte shkaku i vrasjes.

Verifikimet dhe një kamera në afërsi të rrugës ka treguar se gjithçka ka nisur nga konflikti për kalimin i pari në rrugë, ku shfaqet autori me armë në dorë duke qëlluar mbi 28-vjeçarin Cenalia. Policia pas identifikimit të autorit, ka nisur verifikimet për të shkuarën e tij dhe ka parë që ai ishte vëllai i një tjetër personi të dënuar për vrasje, e madje për një nga krimet më të rënda të ndodhura në Fier 5 viteve të fundit.

Efektivi i policisë, Cenalia, u vra teksa po shkonte drejt vendit të punës për të marrë shërbimin. Vrasja u shënua rreth orës 13:15 minuta të 13 majit 2024. Asllan Mernica, i njohur edhe me emrin Azgan, u largua nga vendi i ngjarjes me makinën tip “Audi”, ngjyrë blu, të cilën e braktisi disa kilometra me tutje dhe nga aty u arratis arave. Në ndjekje të tij janë vënë me dhjetëra efektivë policie, përfshirë Forcat Kombëtare e Sigurisë dhe elita RENEA.

Drejtuesit e policisë së shtetit, i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohet, në të kundërt forca e ligjit do të jetë shumë e ashpër ndaj tij. I ati i efektivit që ndërroi jetën nga plumbi në kokë, Nevruz Cenalia është po ashtu polic pranë sallës operative të Policisë Fier, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në një vrasje të ndodhur vite më parë në vendlindjen e tij në Has, të mbyllur në dyert e drejtësisë, çfarë fillimisht e vendosi në tavolinën e hetuesve si pistë, por u sqarua shpejt që nuk kishte lidhje.

Ndërkohë, autori i ngjarjes, Asllan Mernica, rezulton të jetë vëllai i Kiri Mërnicës, i arrestuar për tentativë vrasje. Bashkë me 3 të tjerë më 17 prill 2021 u përfshi në një konflikt ku mbeti i plagosur Pashk Palnikaj. Po ashtu, Kiri Mërnica akuzohet si i përfshirë në një ngjarje të ndodhur në 2019-ën, ku u masakrua Florian Selimi, me origjinë nga Tropoja dhe banues në fshatin Sulaj.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB